Jozyrtarisht ASH-ja do të jetë pjesë e qeverisë, ja cilat dikastere do ti takojnë

Shpërndaje

Qeveria do të zgjerohet edhe me një parti tjetër. Aleanca për Shqiptarët do të jetë partneri më i ri qeverisës i LSDM-së dhe BDI-së.

Nga BDI dhe nga Qeveria nuk kemi konfirmim zyrtar për ndarjen e përgjegjësive.

Jozyrtarisht nga burime partiake Klan Macedonia mëson se me zgjerimin e koalicionit qeveritar, përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët do të udhëheqin me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe eventualisht me Ministrinë e Bujqësisë. Përveç këtyre, sipas marrëveshjes së arritur, Aleancës për Shqiptarët do t’i takojnë edhe 30 drejtori.

Zërat për zgjerimin e shumicës qeveritare filluan javë më parë, por në nivel spekulimesh. Para disa ditësh kreu i ASH-së, Arben Taravari takoi kryeministrin Kovaçevski në zyrën e këtij të fundit. Pas takimit të dy dolën me deklarata të ngjajshme se nuk kanë folur për zgjerim qeveritar, por për të ardhmen e vendit. Pas këtij takimi ishte kreu i BDI-së, Ali Ahmeti që pranoi se ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të Aleancës.