Kancelari gjerman Scholz: BE, e paplotë pa Ballkanin

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po merr pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili udhëhiqet nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Në fjalën hapëse, kancelari tha se qytetarët e Ballkanit nuk duhet ta humbin shpresën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, unioni është i paplotë pa 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ballkani Perëndimor ballafaqohet me sfida të rënda. Këto sfida janë të përbashkëta sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të ndahet nga ai i Evropës si tërësi. Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni Evropës së lirë dhe anëtarësimi i juaj në BE është në interesin tonë.

Në samitin ku marrin pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë pritet të nënshkruhen tri marrëveshje. Ato do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.

Sot po bëni tre hapa madhor në këtë rrugëtim duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup. Kjo ju përafron me standardet evropiane.

Në fokus të diskutimeve të samitit do të jetë edhe kriza energjetike dhe ajo ekonomike.