Kasami: Lëvizja BESA nuk merr pjesë në takimin e sotëm të liderëve

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave
Të nderuar qytetarë
Lëvizja BESA në vazhdimësi ka vendosur gjithë potencialin politik, për të siguruar orientimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut dhe rikonfirmojmë me bindje të thellë që e ardhmja e shtetit është në Bashkimin Evropian si alternativë e vetme për të ardhmen e vendit.
Një nga vlerat kryesore evropiane është edhe njohja e gjuhës së një kombi, gjë që nuk është edhe në Maqedoninë e Veriut ku gjuha shqipe ende njihet me terme nençmuese si 20%. Takimi i thirrur nga Kryeministri Kovaçevski është formalitet, për shpëtimin e BDI-së nga obligimi i uljes në “Tryezë” të përfaqësuesve të Partive shqiptare, në të cilën përfaqsuesi i BDI-së, duhej të raportoj mbi realizimin ose jo të obligimeve të marra me marrëveshjen, në të cilën si kusht është edhe përfshirja e gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit.
Lëvizja BESA gjithnjë mbetet e hapur dhe e gatshme që të ballafaqohet përmes dialogut, për të zgjidhur çështjet e të drejtave të kombeve, të cilat janë jetike dhe të garantuara ndërkombtarisht. Për fat të keq, aktorët politik shqiptar dëshirojnë të shmangen nga përgjegjësia dhe detyrimet që dalin nga deklarata e përbashkët. Në këtë periudhë vendoset mbi statusin e kombeve të cilët përbëjnë këtë shtet dhe nëse nuk hiqet përdorimi i termit 20% që përdoret për shqiptarët, atëherë pajtohemi që të trajtohemi si pakicë në këtë vend.
Shqiptarët janë autokton në këtë vend dhe nuk lejojmë të trajtohen me terma poshtërsuese të llojit të 20-të përqindshit. Prandaj, Lëvizja BESA nuk do të merr pjesë në takimin e thirrur nga kryeministrit Kovaçevski, i cili luan lojën dhe rolin e shpëtimtarit të BDI-së.
Ritheksojmë që nuk kemi asnjë dilemë në orientimet euro-integruese, por nuk do të lejojmë që populli shqiptar të trajtohet me poshtërsi në Kushtetutën e vendit. Jemi popull shtet-formues dhe si të tillë do të duhet të trajtohemi e respektohemi nga ligjet vendore.
Ju faleminderit
Kryetari i Lëvizjes BESA – Bilall Kasami