Kulmi i papërgjegjshmërisë: Agjencia për implementimin e gjuhës shqipe shpërfill gjuhën shqipe

Shpërndaje

Kulmi i papërgjegjshmërisë: Agjencia për implementimin e gjuhës shqipe shpërfill gjuhën shqipe

Edhe përkundër krekosjeve të zyrtarëve të lartë të partisë shqiptare në pushtet, BDI, brenda dhe jashtë vendit me gjoja zyrtarizimin e gjuhës shqipe, shumë institucione në vend nuk respektojnë dygjuhësinë dhe anashkalojnë krejtësisht përdorimin e gjuhës shqipe. Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me kohë ndaj shumicës prej tyre.

Por, skandal mbi skandalet është fakti se vetë institucioni që është themeluar pikërisht për të mbrojtur përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, Agjencia për implementimin e gjuhës shqipe, apo siç njohet zyrtarisht “Agjencia për implementimin e gjuhës që e flasin të paktën 20% e qytetarëve”, vetë e shpërfill gjuhën shqipe dhe shkel ligjin me dhe për të cilin është themeluar.

Faqja zyrtare e Agjencisë (https://apj.gov.mk) nuk ka version në gjuhën shqipe dhe e tërë mënyja e faqes është në gjuhën maqedonase. Përveç disa lajmeve të publikuara në tri gjuhë që duken në ballinë të faqes, gjithçka tjetër në faqe është vetëm në gjuhën maqedonase. Në shumicën e rubrikave nuk ka fare materiale, ndërsa në disa prej tyre ka të dhëna vetëm në gjuhën maqedonase.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kjo qasje skandaloze ndaj gjuhës shqipe është kulmi i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë që kësaj radhe vjen jo nga të tjerët, por nga vetë shqiptarët në pushtet dhe madje nga ata të cilët janë emëruar në poste të paguara mirë nga buxheti i shtetit vetëm e vetëm që të detyrojë institucionet e tjera të respektojnë gjuhën shqipe.

I bëjmë thirrje inspektoriatit kompetent që kontrollet dhe sanksionet t’i fillojë nga vetë agjencia për gjuhën shqipe e cila po shkel me dy këmbë mbi mandatin e saj të shenjtë të cilët shqiptarët e fituan me shumë mund.

– Aleanca për Shqiptarët-