Osmani e Rama “s’e shohin” njëri -tjetrin në Tunizi

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin e krerëve të 88 shteteve anëtare të Frankofonisë. Në këtë samit ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Anipse të dy tash e sa kohë iu bie të marrin pjesë në samite e forume të njëjta, ata vazhdojnë të ‘mos e shohin’ njëri-tjetrin.

E njëjta ka ndodhur edhe në samitin në Tunizi. Osmani e Rama kanë shpërndarë fotografi nga pjesëmarrja në këtë samit dhe nga bisedat e tyre me krerë të ndryshëm, por jo me njëri-tjetrin.

Megjithatë, në disa nga fotografitë e postuara në Facebook, shihen afër njëri-tjetrit, pasi ashtu u rastisi me protokoll.

Rama, në llogarinë e tij në Facebook, publikoi një album fotografish ku shihet dorështrënguar me shumë udhëheqës të vendeve të ndryshme, por një të tillë s’e pati edhe me Osmanin.

“FOTOJA FAMILJARE e 88 krerëve të shteteve pjesëmarrëse në Samitin e XVIII të Frankofonisë”, shkroi Rama në Facebook.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Samiti i krerëve të 88 shteteve anëtare të Frankofonisë, na e dha mundësinë e shkëlqyer për të diskutuar e zgjeruar partneritetin me shtete të ndryshme anekënd botës.
Sesioni plenar i këtij samiti, ndërkaq, i cili iu kushtua digjitalizimit, qe mundësi e mirë për t’i paraqitur të arriturat e Kosovës në fushën e teknologjisë informative, si dhe potencialin e jashtëzakonshëm të shtetit tonë e të rinisë sonë. 🇽🇰🇹🇳