RajoniTop Lajme

“Republika e Parë”: Fakte të reja tronditëse për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Shpërndaje

Një kapitull i veçantë i librit “Republika e Parë” e Mero Bazes, trajton me hollësi zhdukjen e shqiptarit nga Kosova Remzi Hoxha, i cili u rrëmbye nga SHIK e nuk u kthye më kurrë tek familja e tij. Në librin e tij, gazetari Mero Baze e trajton këtë çështje që në origjinën e ngjarjes, ku tregon për biseda me thuajse të gjithë piramidën e shtetit të asaj kohe. Pikërisht nga mënyra se si janë përgjigjur krerët e shtetit, duke nisur nga Sali Berisha e Bashkim Gazidede, kuptohet shumë për këtë ngjarje. Ndërkaq, për këtë tragjedi të rëndë, udhëheqja e Kosovës ka kërkuar informacion nga Tirana, por që nuk tha kurrë e vërteta…

Nga Mero Baze

Vrasja e Remzi Hoxhës, reagimet e Rugovës dhe Berishës për të

Remzi Hoxhën e kam njohur në fillim të vitit 1995, ndërkohë që punoja edhe në gazetën “Rilindja”, në Tiranë. Kishte rikonstruktuar zyrat e shtypshkronjës “Euro Rilindja“ në rrugën “Myslym Shyri” dhe për një kohë shfaqej shpesh te kafja e redaksisë, në pritje për të përfunduar likuidimet financiare me menaxherin e shtypshkronjës.

Ishte burrë thuajse i heshtur që mbante gjithmonë cigaren në gojë si për t’u justifikuar pse nuk përfshihej në bisedat tona të zhurmshme. G.S. që ishte përgjegjësi i sistemit kompjuterik të gazetës, kishte nisur ndërkohë me të partneritet për një repart për prodhimin e dritareve duralumin, pranë frigoriferit të Tiranës. G.S. trokiti në zyrën time një ditë të javës së parafundit në tetorin të vitit 1995, i shqetësuar se Remziun e kishte marrë policia kriminale dhe ishte i merakosur se mos e keqtrajtonin.

Bashkë me të ishte Nexhmedini, vëllai i Remziut. Më kërkuan të pyesja çfarë mund të ishte bërë me të. Brenda një ore, kam pyetur në telefon gjithë kupolën e shtetit, që nga shefi I Komisaritit Nr.3, deri te Sali Berisha. I pari, Gjergj Jorgo, shefi i Komisaritit Nr.3, pranoi se SHIK ka sjellë një kosovar në qeli, por nuk është në dijeni se kush është.

– Zakonisht i mbajnë 24 orë. – tha.

Pas 24 orëve, “nuk dinte më asgjë” kush ishte ai që kishin sjellë dhe ku ishte. Aleksandër Meksi si kryeministër dhe Agron Musaraj si ish-ministër Rendi nuk kishin asnjë dijeni, por ishin të qartë në shpjegimet e tyre, ishte punë e SHIK. Vetëm dy persona më janë përgjigjur njëlloj dhe më kanë bërë të njëjtat pyetje. Ata ishin Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede. Të dy më kanë pyetur, ende pa më dhënë përgjigje, se ku e njoh Remzi Hoxhën dhe ua kam shpjeguar si ishim njohur.

Të dy më kanë pyetur pa m’u përgjigjur ende ku është, se ku e njihja unë ortakun e Remzi Hoxhës dhe ua kam shpjeguar. Të dy më kanë lënë të kuptoj të mos përzihem në këtë punë se “mund të jenë lojëra shërbimesh” dhe ai ortaku i tij “të ketë kujdes.” Dhe të dy, në fund më kanë thënë, “ne në fakt nuk dimë gjë ku është”, edhe pse më shumë më bënë pyetje ata, sesa unë atyre.

Kolegut tim, Ylli Rakipi që i kërkova ndihmë ta ripyeste Berishën për këtë çështje, po ashtu i kishte ribërë disa prej këtyre pyetjeve, pastaj i kishte thënë se mund të ishte agjent i UDB dhe nuk duhej përzier në këtë punë. Kjo e gjitha dy ditët e para. Më pas nuk të jepnin më asnjë përgjigje, pasi mesa duket u kishte vdekur në duar. Si për shumë gjëra të tij, Sali Berisha ka metodë që thotë disa variante të ndryshme, me qëllim që të bëjë të paditurin.

Herën e fundit që ka dalë në media ka thënë se për herë të parë për këtë gjë ka dëgjuar nga Adem Demaçi, një vit e ca më vonë. Në rrethin e tij të afërt, në fillim thoshte se mund ta ketë rrëmbyer UDB, (me targa dhe oficerë të SHIK). Pastaj thoshte se dyshohej të ishte pjesë e skenarit për një atentat të dështuar ndaj Gligorovit. U arrestua dhe Ziso Kristopuli, për të bërë lidhjen edhe me grekët, kundër ish-presidentit të Maqedonisë.

Më në fund, subkoshienca e tij foli. Në televizionin “Syri”, ekran i të birit, në një intervistë pranoi se për Remziun u tha “që donte të vriste Sali Berishën.” Në fakt, këtë s’e ka thënë askush publikisht, përveç Sali Berishës. Por ai mendon se duke e përsëritur me vete arsyen e vërtetë, e kanë dëgjuar dhe të tjerë.

Ky është shkaku pak më bindës, përse SHIK i Berishës e rrëmbeu Remzi Hoxhën. Ai është ndaluar, rrëmbyer dhe pastaj u ka mbetur në dorë gjatë torturave, nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi majtist të Kosovës, zanafillë e krijimit më vonë të UÇK, por si fillim, nëpërmjet shkrimeve e pamfleteve të tyre, patën kërcënuar Sali Berishën si “tradhëtar i kombit.”

Në arkivin e Qeverisë së Kosovës gjendet letra e familjarëve të Remzi Hoxhës, drejtuar Bujar Bukoshit që dëshmon se qeveria dhe vetë Sali Berisha ka marrë zyrtarisht kontakt nga familja, qysh muajin e parë. Mes të tjerash, në letër thuhet: “Më 21.10.1995, në ora 13.30 merret nga persona të prezantuar si polici kriminale, në vendin e punës si president i firmës “Albatros.” Këta persona kishin tri makina me vete, pistoleta, pranga që lidhën Remziun dhe e morën me vete. Burrat ishin të moshës 35-47 vjeçare. Remziun e futën në makinën e parë “Volkswagen” e tipit të ri, me ngjyrë ulliri dhe targa të Tiranës, TR 2449 C (targa të rregullta) dhe ikën me shpejtësi. Makinës së lartpërmendur iu bashkëngjitën edhe makina të tjera.

– Menjëherë pas pesë minutash punëtorët e firmës bënë denoncim në Rajonin Nr.3 të policisë, në fillim me telefon, pastaj e dorëzuan edhe me shkrim. Ndërkohë policia e Rajonit Nr. 3, ka dhënë urdhër për kërkim të makinës me targat e lartpërmendura dhe personave të tjerë, mirëpo gjer vonë nuk është bërë asgjë.

– Në orën 14.45 të së njëjtës ditë, në vendin e ngjarjes rikthehen arrestuesit (tre persona) me të njëjtat makina. Njëri prej tyre i tregoi punëtorit të firmës dokumentin e policies kriminale dhe u prezantua si shef i grupit arrestues. Ishte 45-47 vjeçar, me dialekt jugor dhe me një veçori karakteristike krahun e djathtë e kishte më të shkurtër (me defekt). Në vendin e arrestimit mbetën afro 45 minuta. Në prezencën e punëtorëve bënë kontrollin, morën dokumentet e makinës së presidentit të firmës, disa pako cigare që i këmbyen edhe me punëtorët e firmës duke thënë: “kështu e ka policia natyrën e punës, kemi marrë Remziun për verifikim dhe do ta lirojmë shpejt.”

– Ata ikën. Herën e dytë ishin në vendin e ngjarjes policia e Rajonit Nr.3, të cilët qëndronin rreth objektit të firmës. Pas pak morën urdhër nga komisariati i policisë që të largohen prej aty dhe të kthehen në rajon. Kjo polici vetëm mori shënime formalisht, me motivacion se Remziu është rrëmbyer dhe po e kërkojnë.

– Më 23.10.1995, domethënë pas tri ditësh, vjen në repart një inspektor i krimit të Rajonit Nr. 3 dhe thotë se ishte urdhëruar të informonte se Remzi Hoxha është liruar nga arresti. Me këtë inspektor pimë cigare dhe kafe e pastaj iku. Por ne pritëm kot, se Remziu nuk erdhi. Pastaj shkuam te Rajoni Nr. 3 i policisë dhe kërkuam sqarime për ato që na tha inspektori i policisë kriminale. Dezhurni na tha se shefi i policies së krimeve nuk gjendej aty, po mund të takonim Zograf Q. Ishte personi që erdhi në punishte dhe na tha se Remziu është liruar. Po në rajon të policisë na tha se ka urdhër të mos informojë më shumë. Na largoi duke thënë se çdo informatë tjetër i rrezikonte vendin e punës, për më keq, i rrezikohej edhe koka…

Këto informata të inspektorit të krimeve që kishte vetëm dy muaj në këtë punë, ishin dhënë në prezencë të gjashtë dëshmitarëve.

– Më 24.10.1995, vjen në repart një inspektor tjetër i policies së krimeve, llir Gjeka, i cili thotë se Remziu duhet të lirohet. Pas pak vjen së dyti dhe thotë meqë nuk qenka liruar, më jepni gjeneralitetet e tij.

– Më 26.10.1995, trokitëm në dyert e SHIK në Tiranë, ku na thanë se rastin e njihnin, po nuk mund të na ndihmonin dot. Na orientuan të interesohemi në SHIK qendror. Aty, me telefon nga porta e hyrjes na thanë se kishin marrë një telegram nga familja për këtë rast dhe do të na informonin. Pyetëm nëse dinin ku është Remziu, po ata nuk na thanë asgjë. As është këtu apo aty, apo se është rrëmbyer apo jo.

– Me telegrame njoftuam menjëherë organet kompetente zyrtare: Presidentin e Republikës, ministrin e Rendit, kryetarin e SHIK, ambasadën shqiptare në Maqedoni, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve në Maqedoni, Sindikatën e Pavarur të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke shpresuar se do të na ndihmonim. Kështu iu drejtuam edhe ambasadës së Maqedonisë në Tiranë, si dhe shefit të përfaqësisë së Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë. Po ashtu informuam edhe Komitetin e Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut në Shqipëri, prokurorinë e Tiranës dhe të Republikës. Nga të gjithë ende nuk kemi informim për të ndriçuar ku është Remzi Hoxha.

– Më 29.10.1995, familja kontakton me “Gazeta Shqiptare”, por gazeta nuk pasqyron në mënyrë autentike fjalët e familjarëve të Remziut.

– Duhet theksuar se ambasadori i Shqipërisë në Shkup e informoi familjen e Remziut se sipas të dhënave që ka nga organet shtetërore të Shqipërisë, Remzi Hoxha është rrëmbyer nga të panjohur. Organet policore po e kërkojnë dhe se për të dhëna të tjera do njoftoheshin në vazhdim.

– Më datë 10.11.1995, në zyrat e firmës “Albatros” erdhën dy inspektorë të SHIK, me përgjegjës grupi z. Jeton Osmani me një bashkëpunëtor. Për herë të parë pas tri javë shpjegime, ata kërkuan të dinin si u mor Remziu. Na thanë se do të interesohen për këtë rast dhe do të na informojnë, por lajm nuk pati asnjëherë.

– Më 13.11.1995, në firmën “Abatros” dhe në shtëpinë e Remziut erdhën inspektorët e krimit llir Zeka, Zograf Qullai dhe Alban Omari për të marrë deklarata me shkrim prej punëtorëve dhe anëtarëve të familjes si ka ndodhur rasti. Ndërkohë kishin kaluar tri javë.

… – Lusim organet e lartpërmendura të ndihmojnë në zgjidhjen fatlume të këtij rasti! Nuk dëshirojmë që problemi i familjes sonë të bëhet objekt i mjeteve të informimit jashtë Shqipërisë, si njollë e keqe për këto hapësira.”

I akuzuari si rrëmbyesi i tij, Arben Sefgjini qëndroi deri në fund të vitit 2013, drejtor i rëndësishëm i qeverisë “Berisha”, edhe pse kishte dënim nga gjykata për përfshirje në zhdukjen e Remzi Hoxhës. I akuzuari direkt Ilir Kumbaro, u ndalua në Britani të Madhe dhe mendohet se është arratisur drejt Brazilit në pamundësi për t’u gjetur. Ngjarja e përshkruar me dëshmitë e familjarëve dhe punëtorëve, tregon qartazi për përfshirje direkte të strukturave të policisë së shtetit dhe SHIK në këtë histori. Më pas, kurrë nuk dhanë asnjë përgjigje. Familja për njëzet e pesë vite rresht kërkoi çdo ditë familjarin e saj. Gjyqi ndaj fajtorëve përfundoi me masa gjysmake, pa zbuluar ku gjendet trupi, por duke fajësuar Shërbimin Informativ për zhdukjen e tij.