ASH: Gjendja lidhur me furnizimin me energjinë elektrike në vend është alarmante

Shpërndaje

Nga të dhënat e publikuara dhe të përpunuara nga departamenti për ekonomi pranë Aleamcës për Shqiptarët(ASH), vetëm për muajin nëntor 2022, në mungesë të prodhimit nga kapacitetet energjetike në vend, përmes prokurimit publik janë importuar 87.000 MWh energji elektrike nga furnizuesit që operojnë në tregun energjetik, sasi për të cilën nga buxheti i shtetit janë ndarë mbi 20 milionë euro.

Nga ASh-ja, thonë se parashikimet janë të zymta, pasi edhe gjatë muajit dhjetor të këtij viti, në mungesë të prodhimit nga kapacitetet energjetike në vend, do të duhet që sasinë e nevojshme për furnizim me energji elektrike ta sigurojmë nga importet, ku projeksionet e parashikimeve përllogariten se do të duhet të ndahen nga buxheti i shtetit mbi 30 milionë euro, pasi në bursat energjetike në Evropë çmimet kanë shënuar këto ditë tendencë rritjeje, ku 1 MWh tregtohet me afro 400 euro.

“Gjatë ditës së djeshme 29.11.2022, vendi ka patur nevojë për 17.216 MWh energji elektrike, të cilat nevoja janë siguruar në sasi prej 12.636 MWh (ose 73,4 %) nga prodhimi i kapaciteteve vendore (termocentralet, hidrocentralet dhe impiantet e erës) dhe 4.580 MWh (ose 26,60 %) nga importet përmes prokurimit publik. Nëse kapacitetet prodhuese energjetike në vend punojnë me kapacitet të plotë, vetëm nga termocentralet pa llogaritur hidrocentralet e impiantët e erës, mund të prodhojnë mbi 19.000 MWh në ditë”, thonë mga ASh-ja.

Sipas tyre edhe pse në shumë dalje publike, eksponentët qeveritar e udhëheqësit e impianteve energjetik në vend deklaronin se janë ndërmarrë të gjitha masat dhe se është kontraktuar lënda e parë e nevojshme për vënien në punë me kapacitet të plotë të kombinatit minerar energjetik “Manastiri” dhe “Oslomej “, faktet dhe dëshmitë flasin ndryshe, pasi nga tre blloqet prodhuese në KME ” Manastiri ” në funksion në të shumtën e rasteve janë dy blloqe, ndërsa KME ” Oslomej ” në të shumtën e kohës është jashtë funksionit për shkak të riparimit apo evitimit të defekteve.

“U përfol se në rast nevoje mund të vendoset në prodhim edhe Termoelektrocentrali “Negotinë” i cili ka një kapacitet prodhues prej 195 MWh në ditë, por ministri i ekonomisë dhe drejtuesit e dikastereve energjetik në vend, me qëllim që ta fshehin realitetin që ky impiant energjetik është jashtë funksionit, deklaronin se më i leverdishëm është opcioni që të importojmë energji elektrike se sa të sigurojmë mazut e ta vëmë në funksion këtë termocentral”, thonë në fund nga ASh-ja.