Deri në 5 orë pritje në Merdarë, për të hyrë në Kosovë
Në pikat e kalimit kufitar vazhdon të ketë fluks të madh të automjeteve dhe pritje të gjata deri në 5 orë të bashkatdhetarëve që po vijnë për të kaluar festat e fundvitit në Kosovë.
Sipas Qendrës për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë shënuar në vendkalimet kufitare në Merdar dhe të Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë.
Në vendkalimin kufitar në Merdarë, bashkatdhetarët po presin deri në pesë orë për të hyrë, kurse kolona e veturave arrin deri në 1.5 km .
Ndërsa, në vendkalimin kufitar te Dheu i Bardhë, për të hyrë në Kosovë po pritet deri në katër orë. Kolonat e automjeteve në këtë vendkalim kufitar arrijnë deri në 4 kilometra.
Edhe në pikat kufitare Mutivodë dhe Muçibabë pritjet janë prej 20 deri në 30 minuta për të hyrë në Kosovë.
Përderisa, në vendkalimet tjera kufitare gjendja është e mirë, pritjet më të gjata arrijnë deri në pesë minuta.
Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ende vazhdojnë të qëndrojnë të jenë të mbyllura, për shkak të vendosjes së barrikadave, e cila erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, që po dyshohet se ka kryer vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues.
KËTU mund të gjeni linkun për të përcjellur gjendjen në kohë reale në pikat kufitare.