Disa furra në Prishtinë ulin çmimin e bukës

Shpërndaje

Në Prishtinë disa furra kanë ulur çmimin e bukës. Çmimet janë ulur në furrat e vendosura kryesisht në lagjet paksa më periferike dhe më pak të frekuentuara nga konsumatorët, ndërkohë që furrat që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë më afër qendrës së kryeqytetit dhe ato që janë fare pranë shkollave të Prishtinës, edhe më tutje i mbajnë çmimet e pandryshuara.

Një deklaratë e kryetarit të Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahut, e bërë publike para disa ditësh se “çmimi aktual i bukës mund të bie dita ditës pasi po paralajmërohet ulje e çmimit të miellit”, siç shihet sot nëpër shtandet e disa furave të kryeqytetit, ka pasur efektin e vet.

Disa furra në Prishtinë, në dy-tre ditë e fundit, kanë ulur çmimin e bukës standarde, asaj 500 gramëshe, që është më e konsumuara nga kosovarët. Tani, pas një vizite të dhjetëra furrave prishtinase nga reporteri i Buletini Ekonomik, vërehet se në gjysmën e furrave të kontaktuara çmimi i bukës standarde është ulur nga 50 në 40 centë. Por, siç u tha, jo të gjithë furrëtarët kanë ulur çmimin e bukës. Çmimet janë ulur në furrat e vendosura kryesisht në lagjet paksa më periferike dhe më pak të frekuentuara nga konsumatorët, ndërkohë që furrat që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë më afër qendrës së kryeqytetit dhe ato që janë fare pranë shkollave të Prishtinës, edhe më tutje i mbajnë çmimet e pandryshuara.

Duhet thënë se çmimi i bukës në Kosovë, i asaj standardes, 500 gramëshe, që është më e konsumuara dhe më popullorja në familjet kosovare, që ka kohë, një vit e më shumë, që shitet 50 e 60 centë, varësisht nga furrat dhe nga qyteti, është shumë i shtrenjtë dhe përtej fuqisë blerëse të kosovarëve në përgjithësi, dhe varfanjakëve shumicë në veçanti.

Në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara, çmimi i bukës del të jetë shumë i lartë edhe po të krahasohet me çmimet e ngritura të materialit riprodhues të nevojshëm për ta prodhuar një bukë.

Kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, kishte thënë ditë më parë për medie se “ka sasi të mjaftueshme të grurit”.

“Pritet me zbritë çmimet e miellit. Kemi sasi të mjaftueshme të grurit dhe të miellit, kjo sasi nuk di a është e mjaftueshme edhe për vitin e ardhshëm varet në situatën globale që ndodh, por aktualisht jemi mirë me situatën me miellin”, pati thënë ai me këtë rast.

Me fjalë të tjera, më kot ankohen furrëtarët se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre, për shkak, siç thonë ata, të ngritjes së madhe të çmimeve të miellit, energjisë elektrike, druve, qirave dhe të disa materialeve më të imëta të nevojshme për ta bërë një bukë për treg. Ata, furrëtarët dhe bizneset e tyre në vendin tonë, vazhdojnë të fitojnë shumë, të shtojnë financat e tyre dhe vazhdojnë të ankohen për marzhën e vogël të fitimit nga buka që shesin. Ankesat e shumta të tyre, ata gjithnjë i kanë shfrytëzuar si pretekste për ngritje të çmimeve, së fundi jo të bukës standarde, por të produkteve të tjera nga mielli, sidomos të pjekurinave, produkte këto që janë të preferuara më shumë nga nxënësit e shumtë të shkollave kryeqytetase.

Thjesht furrëtarët, shumica absolute e tyre, e sidomos e atyre që bizneset e veta (furrat) i kanë të vendosura dhe kryejnë veprimtarinë rreth e qark shkollave, kanë kërkesë të bollshme karshi ofertës, po kështu, të bollshme për pjekurinat e larmishme dhe të shumta, por të gjitha në vëllim dhe peshë fare të vogël. Shesin shumë dhe në të njëjtën kohë qarkullojnë edhe shumë para nga tregtimi i pjekurinave me çmime stratosferike dhe të ngritura përditë në përqindje jo të pakta.

Tani, aktualisht pra, një pjekurinë (“gjevrek”) që në asnjë mënyrë nuk peshon më shumë se 100 gramë, disa nga furrtarët e kryeqytetit e tregtojnë 40 centë, ose përafërsisht sa një bukë standarde (500 gramshe), ndërkohë që vetëm para disa ditësh i njëjti produkt shitej saktësisht 30 centë. Njësoj veprohet edhe me pjekurinat e tjera (kiflet e lloj-llojshme, kuleqë të ndryshëm, etj). Ndërsa, nxënësit vazhdojnë të mbushin hapësirat e furrave dhe të presin në radhë përditë dhe me përafërsisht të njëjtin itinerar. Fundja, nuk kanë nxënësit shumë zgjidhje për të siguruar shujtën e nevojshme gjatë mësimit. Ata duan të hanë, dhe detyrohen të paguajnë çmimet e shtrenjtuara shumë dhe shumë shpesh.

Duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, është e udhës që edhe produktet e tjera të prodhuara nga mielli, si lëndë e parë kryesore, të ulen, sikundër edhe buka standarde, që ka nisë të tregtohet me 10 e më shumë centë zbritje.

“Kemi sasi të mjaftueshme të grurit dhe të miellit”, tha publikisht Bashkim Zejnullahu. Prandaj, pse t’i ketë Kosova çmimet e bukës dhe të gatesave të tjera nga mielli, kaq të shtrenjta. Sidoqoftë, nisma e disa furrëtarëve prishtinas për të ulur çmimin e bukës standarde nga 50 në 40 centë është e mirëseardhur për konsumatorët dhe si e tillë duhet të zbatohet edhe nga furrëtarët e tjerë. /Buletini Ekonomik