RajoniTop Lajme

Kuvendi miraton Ligjin e Pagave për Zyrtarë Publikë

Shpërndaje

Ligji është miratuar me shumicë votash. Ndërsa që opozita nuk e ka përkrahur këtë Ligj.

Qeveria ka thënë se ky Ligj trajton në mënyrë të drejtë të gjitha kategoritë, ndonëse nuk e ka bërë publike ende se sa do të jetë koeficienti i pagës.

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se pro ishin 63 ishin deputetë, asnjë kundër, si dhe një abstenim.
Në sallë të pranishëm ishin 85 deputetë

Konjufca, pas votimit të Projektligjit për Zyrtarë Publikë, ftoi deputetët që të shqyrtojnë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, derisa njoftoi të pranishmit për vlerësimet e komisioneve për projektligjin në fjalë.

E lidhur me votimin të këtij projektligji deputeti Valon Ramadani, njëherësh kryetar i Komisionit për Administratë Publike, teksa arsyetoi raportin për projektligjin për paga në sektorin publikë, ftoi deputetët e Kuvendit që ta votojnë këtë ligj me amendamentet e propozuara.

Gjatë seancës deputetët nga radhët e partive opozitare kritikuan ftesën e partisë në pushtet për ta miratuar Projektligjin për Zyrtarë Publikë.

Deputeti Bekim Haxhiu (PDK), lidhur me Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, theksoi se ky ligj do të duhej të ishte një prej ligjeve më me rëndësi për punëtorët e administratës publike, për shërbyesit civilë, për mësimdhënësit, për punëtorët shëndetësorë, për ushtarët policët, zjarrfikësit, etj.

Për fat të keq ky projektligj po vjen në votim duke shpërfillur të gjitha kërkesat e sindikatave dhe organizatave punonjëse që merren me pagë nga buxheti i shtetit.

Haxhiu shprehu shqetësimin për trajtimin nga deputetët e partive në pushtet në mospërfilljen e kërkesave të sindikatave, të organizatave e agjencioneve tjera të punëtorëve të sektorit publik.

Deputeti Haxhiu rikujtoi propozimin e dikurshëm të kryeministrit Kurti për shëndetësinë, për “qasjen e integruar në shëndetësi“, duke e vlerësuar këtë hap të qeverisë e të kryeministrit Kurti si farsë.

Deputetja nga LDK, Hykmete Bajrami, theksoi se vlera e pagave në sektorin publik ka rënë dukshëm, kur shporta e konsumatorit është shtrenjtuar rreth 50%.

Ajo vuri në pah se Ligji për Paga nuk adreson këtë çështje, sepse nuk dimë se cila është vlera e saj monetare e koeficientit.
“Kjo bëhet edhe më skandaloze kur shohim nenin 9 të ligjit të pagave për sektorin publik ku thuhet se vlera monetare e ligjit për paga përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, ligj që ka kaluar”, deklaroi Bajrami.

Ajo kërkoi sqarim nga ministri i Financave dhe nga kryeministri Kurti se kur mund të hyjë në fuqi ky ligj derisa neni i fundit sqaron se ky ligj hyn në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës gjatë shqyrtimit të dytë të ligjit për pagat në sektorin publik, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Qeveria duhet të tregojë koeficientin për paga në këtë projektligj në të kundërtën, siç tha ai, ky ligj është mashtrim për zyrtarët publik.

Tahiri ka qenë i prerë duke thënë se për të marrë votën tonë ky ligj, dikush duhet të dalë e ta thotë se koeficienti minimal është 121 euro.
“Dhe nëse është 121 euro atëherë ka rritje goxha serioze, por nëse e bën 105 euro, 110 euro, atëherë është problem”, tha Tahiri i AAK-së.
Gjithashtu ai ka vlerësuar se koeficienti bazë do të duhej të ishte 129 euro.

“Koeficienti do të duhej të ishte 129 euro për faktin se parashikimi dhe shuma e pagës së zyrtarit publik afrohet shumë me kërkesa të cilat janë edhe me mos-zvogëlimin e pagave”, tha Tahiri.

LiVE SEANCA: https://www.kuvendikosoves.org/shq/livestream/