Zvicër: Metri katror i një apartamenti kushton 8192 franga, ai i një shtëpie 7277 franga

Shpërndaje

Këtë e ka bërë të ditur kompania e degës ImmoScout24. “Si lajmet e mira dhe të këqija duket se po mbështesin tregun zviceran të pasurive të paluajtshme”, komentojnë ekspertët.

Pasuritë e paluajtshme rezidenciale në Zvicër vazhdojnë të rriten ndjeshëm. Gjatë muajit mars, kostoja e një apartamenti u rrit mesatarisht me 0.4%, ndërsa shtëpitë e një familjeje panë rritje të çmimit me 0.5%, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Në krahasimin vjetor, progresi është përkatësisht 8.0% dhe 6.6%, sipas një njoftimi për shtyp nga ImmoScout24, një kompani në sektor, e cila së bashku me kompaninë konsulente IAZI, llogarit indeksin zviceran të ofertës për pasuri të paluajtshme.

Të dhënat e ndara rajonale nuk u zbuluan. “Pavarësisht nëse është rimëkëmbja ekonomike pas krizës së koronavirusit apo rritja e pasigurisë për shkak të luftës në Ukrainë: si lajmet e mira, ashtu edhe ato të këqija duket se mbështesin tregun zviceran të pasurive të paluajtshme”, komentojnë ekspertët e ImmoScout24. Konkretisht, metri katror i një apartamenti kushton 8192 franga, ai i një shtëpie 7277 franga.