Kurti: Nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa u gjetur personat e zhdukur

Shpërndaje

Pas më shumë se dy dekadave, u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave. Gjatë këtij viti janë identifikuar 21 raste të reja, tri raste ribashkim dhe një rast asistence. Ndërkaq, janë mbi 1600 persona të tjerë, për të cilët që nga lufta nuk dihet për fatin e tyre. Kreu i ekzekutivit ka deklaruar që nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e gjithë këtyre personave. Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur përmes një videoje ka prezantuar punën që është bërë në zbardhjen e fatit për personat e pagjetur.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të drejtat e njeriut ju shkelën më së shumti të zhdukurve me dhunë dhe familjeve të tyre që janë viktima edhe sot.

Ai theksoi se për një muaj, në qershor të vitit ’99 ka qenë i zhdukur, deri atëherë kur i vizitoi Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Kurti ritheksoi se çështja e personave të zhdukur është prioritet dhe urgjencë për qeverinë.

Kurti: Marrëveshje me Serbinë nuk ka pa u zgjidhur çështja e personave të zhdukur

“Personalisht kam qenë tejet i zëshëm dhe në secilin takim publik e jo-publik me akterë relevant ndërkombëtar e kam ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë, si çështje edhe me prioritet edhe me urgjencë. Po e ri-them që marrëveshje me Serbinë nuk ka pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, theksoi ai.

Po ashtu, Kurti deklaroi se janë në proces të diskutimit për hapjen e disa varrezave.

Kurti: Procedura e amandamentimit të Ligjit për personat e zhdukur ka filluar

“Procedura e amandamentimit të ligjit ka filluar, por për shkak të nevojës që të rregullohet ky ligj një herë e mirë, që të mos kemi nevojë shpejt ta plotësojmë dhe ta ndryshojmë atë, procedimi ende nuk ka përfunduar. Keni kërkuar edhe që të ngritët një qendër memoriale në Prishtinë për krimet e luftës, ne realisht kemi shkuar një hap para kësaj dhe veçse kemi përfunduar fazën e parë të punës për themelimin e institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Tash në nëntor e kemi nisur draftimin e projektligjit dhe besojmë brenda gjashtë-mujorit të parë të vitit 2022 do të kemi një mekanizëm funksional që do të dokumentojë dhe adresojë krimet e kryera gjatë luftës”, shtoi ai.

Për tërë këto vjet në pritje të eshtrave të babait të tij është edhe Andin Hoti. Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur shpreson në rezultate edhe më të mira.

Hoti: Shpresojmë në rezultate më të mira

“Nën simbolikën e 10 dhjetorit, prezenca e juaj është vlerësim dhe motiv për ne. Duke shpresuar për rezultate më të mira dhe përkushtim më të madh në të ardhmen, nuk dëshiroj të zgjatem shumë, sepse sot e ka fjalën puna e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur”, tha ai.

Plagë e hapur vazhdon të mbetet fati i mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Që nga përfundimi i luftës janë gërmuar mbi 2700 lokacione.

Nga nëntori i vitit të kaluar është gërmuar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë, ku janë gjetur disa mbetje mortore.

“Gërmimet që kanë përfunduar më 26 maj të vitit 2021 kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të nëntë viktimave të luftës. Shtatë identifikime të reja dhe dy raste ribashkim me eshtrat e zhvarrosura në lokacionin e Rudnicës, një varrezë tjetër në rajonin e Rashkës. Pas identifikimit përmes analizave të ADN-së, është konfirmuar se mbetjet mortore ju përkasin viktimave të Masakrës së Rezallës, të kryer në prill të vitit 1999. Riatdhesimi i viktimave në Kosovë është bërë më 30 shtator, ndërsa u janë dorëzuar familjeve për rivarrim më 9 tetor. Përtej vështirësive dhe pengesave nga zvarritja e gërmimeve, gjetja e mbetjeve të dy personave në lokacione të ndryshme dëshmon qasjen dhe tendencën e Serbisë për të fshehur dhe për të zhdukur gjurmët e krimit”, u tha në këtë përmbledhje të punës dhe sfidave për zbardhjen e personave të zhdukur.

Më tej, u theksua se gatishmëria e institucioneve po vazhdon të sfidohet në masë të madhe prej informatave jo të besueshme nga Serbia.

Megjithatë, tashmë janë lëshuar pesë urdhëresa nga gjykata për gërmime në pesë lokacione të ndryshme dhe janë në fazën e koordinimit për fillimin e gërmimeve të punimeve.

Në Kosovë janë kryer gërmime në nëntë lokacione të ndryshme

“Ndërkaq në Republikën e Kosovës gjatë këtij viti janë kryer gërmimet në nëntë lokacione të ndryshme. Varrezat në lagjen Brekoc të Gjakovës, varrezat në lagjen Arbanë të Prizrenit, varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës, varrezat e qytetit në Shtime, varrezat në fshatin Petrovë të Shtimes, varrezat në fshatin Marinë të Skenderajt, një lokacion në fshatin Strellc të Deçanit, një lokacion në fshatin Planej të Prizrenit, lokacionet në fshatrat Dreth e Kalludër të Zubin Potukut, në të dy prej të cilave janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të dy personave, një në Brekoc dhe një në Arbanë”, u tha aty.

Gjatë vitit janë rivarrosur dhe mbetje të tjera mortore.

Gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave

“Bazuar në procedurat ligjore dhe në respektim të kërkesave dhe traditave familjare, gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave, prej të cilave 21 raste të reja, tre raste ribashkim dhe një rast asistence. Duke përfshirë pesë nga komuniteti serb”, u tha po ashtu në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka marrë pjesë në dialog në dy takimet e fundit, në shtator dhe nëntor.

Të njëjtit thonë se kanë kërkuar qasje në informata relevante që mund ta ndihmojnë çështjen e personave të zhdukur dhe qasje të plotë për gërmimet në bazë të informatave për varreza masive në territorin e Serbisë.

***

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka organizuar aktivitetin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, teksa ka folur për personat e zhdukur gjatë luftës, tha se ai vet ka qenë i zhdukur në vitin 1999, pasi që familja nuk dinte për fatin e tij.

Në fjalën e tij para familjarëve te personave të zhdukur, Kurti është zotuar se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa u gjetur personat e zhdukur gjatë luftës më dhunë.

“Është më se e qartë që në këtë ditë duhet të theksojmë se ata të cilët u është shkelur më së shumti e drejta, e padyshim që bëjnë pjesë të zhdukurit me dhunë dhe familjet e tyre që janë viktima sot e kësaj dite”.

“Nga qershorin e vitit 1999, kam qenë i zhdukur, jo për vete por sepse familja nuk e dinte ku jam deri atëherë kur na vizitoi Kryqi i Kuq në korrik të vitit 1999. Prandaj kur u lirova kisha edhe thirrje te brendshme edhe përgjegjësi qytetarë që t’i bashkohem nënës Nysrete dhe shumë nënave tjera, të cilat ishin organizuar që të bëjnë trysni mbi vendorët e ndërkombëtarët, e kjo tenasferohet mbi Beogradin, ashtu që të zbardhen fati i djalit të saj dhe i shumë djemve e vajza të prindërve të Kosovës, të cilët fillimisht ishin 5 mijë, mandej u mor vesh që 2 mijë kanë përfunduar në burgje, ndërkaq rreth 3 mijë ende janë të pagjetur. Ndërkaq tani i kemi mbi 1 600 të pagjetur, nga të cilat janë 2/3 janë shqiptarë të Kosovës”.

“Andaj edhe puna e komisionit dhe e të gjithë neve në këtë problem, ka qenë më prioritet dhe urgjent, e vështirë dhe sfiduese. Çështja e të zhdukurve, është nder prioritet tona, dhe gjithmonë e kemi bërë të qartë këtë”.

“Familjarët kanë kërkuar të ushtrojmë më shumë ndikim të faktorët ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet të zhdukurit. Marrëveshje me Serbinë nuk ka pa u zgjedhur problemi i të zhdukurve me dhuna. Kërkesë tjetër ka qenë hapja e varrezave ne Kishevak, ku këto kanë nisur për t’u gjetur të zhdukurit tanë”, tha tutje Kurti.

Lajmi: Kryeministri Kurti: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë