Me plis në kokë, studentët e UP-së protestojnë për bojkotimin e produkteve serbe
Me plis në kokë dhe me pankartat, “Duaje tënden”, “Ata barrikadojnë rrugët, ne barrikadojmë ekonominë e tyre, “Mos e forconi armikun”, është mbajtur protestë paqësore “Bojkoto produktet serbe”, e cila u organizua nga studentët e Fakultetit të Edukimit.
Studentët derisa marshuan bënë thirrje nga të gjithë që t’i bojkotojnë këto produkte serbe. Sipas tyre duhet të ngrihet vetëdijesimi i popullit për të ndaluar blerjen e tyre dhe të konsumojnë produktet e vendit, kështu të fuqizohet ekonomia e Kosovës dhe jo ajo e Serbisë.
Laurita Terpeza, studente e Fakultetit të Edukimit, tha se duhet kujtuar atë që ka kaluar populli i Kosovës nga serbët, dhe të ndalohet së ushqyeri armiku i vendit.
“Arsyeja që kemi organizuar këtë marshim paqësor është që të kujtojmë atë që ka kaluar populli ynë, ku ne deri më tani kemi ushqyer armikun tonë me duart tona. Andaj, i bëj thirrje gjithë shqiptarëve anë mbanë botës të bojkotojnë produktet e serbëve. Më mirë të rrinë pa ngrënë se të ushqehemi nga helmi i tyre. Më mirë të fokusohemi te produktet vendore, të fuqizojmë shtetin tonë, ushtrinë tonë dhe jo atë të serbëve”, theksoi Terpeza.