Sa do rritet çmimi i energjisë?

Shpërndaje

Çmimi përfundimtar i energjisë duhet të vendoset nga KRRE ndërsa vendimi duhet të bëhet i ditur deri të premten ose më së voni në fillim të javës së ardhshme

Qytetarët tremben nga një goditje e re e çmimit të energjisë elektrike tani që jemi në prag të dimrit, ndërsa nga autoritetet thonë se rritja e çmimit është planifikuar nga 1 janari por që po punohet që kjo rritje të jetë e zbutur për qytetarët. Komisioni rregullativ po bën analiza dhe bën me dije se në kohë krize energjetike zgjidhjet duhet të modelohen në mënyrë që të shmangen ngarkesat shtesë të qytetarëve dhe për të mbrojtur kategoritë e rrezikuara. Çmimi përfundimtar i energjisë duhet të vendoset nga KRRE ndërsa vendimi duhet të bëhet i ditur deri të premten ose më së voni në fillim të javës së ardhshme. Vendimi më së shumti do të varet nga çmimi që do të ofrojnë termocentralet shtetërore, por edhe nga çmimi i operatorit përçues MEPSO, si dhe çmimi i operatorit të Sistemit të Elektrodistribuimit, përllogaritja e së cilit do ta rrisë TVSH-në nga 5% në 10%. Prodhuesi shtetëror i energjisë elektrike EMV ofroi energji më të shtrenjtë me tarifa më të lira të rrjetit. Çmimi i energjisë elektrike që ofroi EMV-ja për megavat orë arriti në 56 euro në vend të çmimit prej 48 eurove që ishte më herët dhe që nënkupton një rritje prej 16.6%.

Në të njëjtën kohë, nga EMV kanë dorëzuar edhe një ofertë prej 110 euro për megavat orë të energjisë për mbulimin e humbjes teknike në sistemin e Elektrodistribuimit, në vend të çmimit prej 143 euro për megavat orë që ishte më parë dhe që përbën ulje për 23%. “Taksë rrjeti” është mënyra e ashtuquajtur përmes të cilës qytetarët i paguajnë këto humbje.

Kritika të mëdha për atë se qytetarët më shumë po paguajnë për taksat e rrjetit sesa për energjinë elektrike ka pasur edhe në muajt e kaluar. Për një muaj e gjysmë EMV ka shpenzuar 40 milionë euro për blerje të energjisë, pasi nuk mund të mbulojë nevojat e qytetarëve, ndërmarrjeve të vogla, shkollave, spitaleve, ndërmarrjeve të ujësjellësit dhe atyre ushqimore. Çmimi i tregut me të cilin EMV e blen energjinë shkon nga 200 deri në 400 euro për megavat orë. Nga Qeveria qetësojnë duke siguruar se nuk do të ketë një goditje të fortë të çmimit, ndërsa oferta e vetme e cila është në tender është ajo e EMV-së dhe që merr përsipër që për 6 muajt e parë të 2023 të mbulojë të gjitha nevojat e qytetarëve. Që nuk do të ketë goditje çmimi tha edhe kryeministri Dimitar Kova[evski, përderisa njoftoi se për ata që do të shpenzojnë më pak, gjegjësisht konsumatorët e dy blloqeve të para tarifore nuk do të ketë rritje të çmimit. Gjatë shpërndarjes së buxhetit, qeveria ndau 40 milionë euro për mbulimin e borxheve të institucioneve shtetërore për energjinë elektrike.

“Unë dhe ministri i Financave në konferencën për shtyp në mënyrë shumë transparente informuam se kemi vendosur buxhet prej 250 milionë euro për t’u përballur me krizën energjetike. Në fund, kur të bëhen përllogaritjet përfundimtare për kapacitetin, ekonominë e shkallës së prodhimit të energjisë, lëvizjen e çmimit në lëndët e para që bëhet në nivel mujor, atëherë do të kemi mundësi të tregojmë se cili do të jetë subvencionimi përfundimtar që shteti do t’i bëjë ESM-së për të mundësuar çmim më të ulët të energjisë për qytetarët”, deklaroi Kovaçevski.

Është e mundur që edhe MEPSO të kërkojë çmim më të lartë për shpërndarjen e energjisë elektrike, por kompania është në pritje të KRRE-së pasi akoma nuk ka pranuar ndonjë kërkesë formale nga ana e tyre për të paraqitur një ofertë të re, gjë që nënkupton se llogaritjet akoma nuk janë bërë. “Kjo do të varet nga llogaritjet pas shpalljes. Nëse llogaritjet tregojnë se do të duhet të rritet tarifa e përçuesit të MEPSO-së, sigurisht që do të kërkojmë”, theksoi Orhan Murtezani, drejtues i kompanisë. Se sa energji elektrike harxhon Maqedonia e Veriut tregojnë të dhënat nga ESHS, sipas të cilave nga janari deri në qershor të këtij viti çmimi mesatar i energjisë për amvisëri ka arritur në 5761 denarë për megavat orë, që nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është një rritje prej 11.2%. Pa TVSH-në mesatarja e energjisë për konsumatorët fundor, me përjashtim amvisëritë varion nga 10.316 deri në 14.782 denarë për megavat orë sipas grupeve të konsumatorëve. Drejtori i përgjithshëm i termocentraleve të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski tha se çmimi i energjisë do të rritet nga Viti i Ri, por që po bëhen përpjekje që mos të jetë rritje e lartë. (koha.mk)