Thaçi e Veseli mbesin në paraburgim, Specialja ua refuzon kërkesën për lirim

Shpërndaje

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, duke ua vazhduar kështu paraburgimin edhe për një kohë të pacaktuar.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith ka urdhëruar shtyrjen e masës së paraburgimit për dy krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se nuk ka ndonjë ndryshim të rrethanave nga shqyrtimi i fundit.

“Paneli i turpit gjykues urdhëron ZPS-në që të paraqes parashtresat për shqyrtimin e radhës të z.Thaçi dhe z.Veseli për paraburgim jo më vonë se të hënën e 30 janarit 2023, duke ndjekur afatin kohor të përcaktuar me Rregulloren 76”, thuhet në vendim.

Specialja gjithashtu ka kërkuar nga mbrojtja e Thaçit dhe Veselit që të dorëzojë një version publik të redaktuar, dhe që të përgjigjet ose të kërkoj ri-klasifikim të masës jo më vonë se të enjten, 5 janar 2023.

Thaçi, Veseli, bashkë me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin po mbahen në paraburgim prej nëntorit të 2020-s.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.