MaqedoniTop Lajme

9 vite në Maqedoni, nuk i jepet shtetësia, nënës së 3 fëmijëve i mohohen shumë të drejta qytetare

Shpërndaje

Kjo është Kaltrina Xhaferi, nënë e 3 fëmijëve. Ka lindur në Prishtinë, por ka 9 vite e martuar në Shkup.

Ndonëse po mbush thuajse një dekadë në Maqedoni, ajo ende nuk ka shtetësi, e bashkë me këtë i mohohet çdo e drejtë që gëzon një qytetar i zakonshëm.

“Kemi kërkuar ndihmë edhe nga funksionarë shtetëror disa prej tyre na kanë thënë se duhet të presim”, tha Kaltrina Xhaferi.

Kaltrina shprehet se i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar shtetësinë, por nga ana institucionet ende pa një përgjigje.

“Kemi bërë aplikimin për nënshtetësi në harmoni me të gjitha kërkesat ligjore, në vitin 2018, tani e 5 vite nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete se për çfarë arsye unë nuk pajisem me pasaportë maqedone”, shtoi Xhaferi.

Mungesa e nënshtetësisë së Kaltrinës, familjes Xhaferi ia mohon të drejtat ekonomike nga shteti si dhe lëvizjen e lirë për udhëtime, sepse sipas Kaltrinës, fëmijët nuk mund të udhëtojnë pa nënën e tyre.

Gazetarja:-Ju jeni nënë e 3 fëmijëve, fëmijët tuaj a kanë nënshtetësi?

Xhaferi:-Po fëmijët kanë, por shtesat të cilat i marrin për fëmijën e tretë unë as ato nuk mund t’i marr për shkak se nuk e kam nënshtetësinë.

Gazetarja -Çfarë probleme tjera iu paraqet mungesa e nënshtetësisë?

Xhaferi -Lëvizjen e lirë, nuk mund të lëvizim gjithë familja ime mund të lëvizë vetëm unë nuk mund të udhëtoj bashkë me ta, kështu që edhe atyre iu cenohet e drejta e lëvizjes, fëmijët pa mua nuk mund të udhëtojnë.

TV21 para dy ditëve ka kërkuar qëndrim nga MPB për këtë rast, por ende nuk janë përgjigjur.