Biden mbajti dokumenta sekrete/ Presidenti amerikan: Nuk e dija që ishin në dollap

Shpërndaje

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, nuk është i vetmi që nuk i ka dorëzuar në arkivën kombëtare të gjitha dokumentet sekrete të presidencës së tij. Të njëjtin problem ka edhe presidenti aktual Joe Biden.

Në një deklaratë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ishte ndjerë i befasuar kur kishte mësuar se dokumente të klasifikuara u gjetën në një zyrë që ai përdorte dikur. Biden sqaroi se ai dhe ekipi i tij po bashkëpunojnë plotësisht me agjencitë që po kryejnë një vlerësim të asaj që ndodhi.

“Ata gjetën disa dokumente në një kuti në një dollap të mbyllur. Dhe sapo i gjetën, kuptuan se kishte disa dokumente të klasifikuara në atë kuti. Dhe bënë atë që duhej të bënin. Ata menjëherë lajmëruan Arkivat Kombëtare. Ne jemi duke bashkëpunuar plotësisht me procesin e rishikimit i cili shpresoj se do të përfundojë së shpejti.”

Ndër të tjera Biden theksoi se në dokumente kishte të dhëna qeveritare, por nuk kishte dijeni se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

“Unë u informova për këtë zbulim dhe u befasova kur mësova se kishte të dhëna qeveritare që ishin dërguar në atë zyrë, por nuk e di se çfarë ka në ato dokumenta. Ne po bashkëpunojmë plotësisht me zyrtarët për shqyrtimin e tyre, proces i cili shpresoj se do të përfundojë së shpejti. Dhe do të ketë më shumë hollësi në atë kohë”.

Avokatët e Biden thanë se dokumentet u gjetën gjatë një kontrolli të befasishëm të hetuesve në atë zyrë në muajin nëntor, pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të kongresit. Dokumentet janë të periudhës kur Joe Biden mbante postin e zv/presidentit të Shteteve të Bashkuara në administratën e Barak Obamës.