Intervista e Kryeministrit Kurti për gazetën italiane, La Stampa dhe gazetën austriake, Der Standard

Shpërndaje

Intervista e Kryeministrit Kurti për gazetën italiane, La Stampa

Më poshtë gjeni intervistën e përkthyer në shqip të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me gazetaren italiane, Letizia Tortello, të realizuar me 14 janar 2023 dhe publikuar në La Stampa më 16 janar 2023.

Përkthim jo zyrtar

Albin Kurti “Putini luan me lëkurën e Kosovës, kështu Serbia dëshiron të minojë Ballkanin”

Kryeministri i Kosovës: “Beogradi ka një pakt me Moskën, BE-ja duhet të ndërhyjë, kufiri mes NATO-s dhe Rusisë kalon edhe përmes nesh. Duhen më shumë ushtarë, mirë nëse italianë.”

Mund të ketë marrëveshje me Vuçiqin nëse ai e njeh shtetin tonë. Me pakicën serbe aplikojmë të drejtat e Kushtetutës

Barrikadat në veri të vendit u infiltruan nga elementë pro-rusë, nga Night Wolves deri te mercenarët Wagner

Beogradi dëshiron të krijojë Rusinë e vogël në rajon, Evropa nuk mund të jetë neutrale për vetë sigurinë e saj

Letizia Tortello

Nga Ukraina në Kosovë, “Armiku është i njëjti: Putin. Serbia ka marrëveshje me Kremlinin për të destabilizuar Rajonin. Kufiri mes NATO-s dhe Rusisë është edhe këtu, në Ballkan”. Kryeministri kosovar, Albin Kurti, më 15 Dhjetor ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE. Sot merr frymë, pas javësh tensionesh dhe përplasjesh në veri të vendit, me minoritetin serb që ngriti barrikada. Kujtimi i luftës (1998-99) është shumë afër, dhe shumë i dhimbshëm, për të menduar për një konflikt të ri. Armiqësitë në këtë plan duket se vetëm janë shtyrë për ca më vonë, para zgjedhjeve të prillit. Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është më larg se kurrë. Sipas Kurtit, sepse Beogradi e kundërshton. Si një lloj dere rrotulluese nga e cila Moska dëshiron të kërcënojë indirekt edhe BE-në.

Kryeministri Kurti, vendi juaj, më i riu i lindur në Evropë, 15 vite më parë, po përjeton muaj të rrezikshëm për stabilitetin e tij. Si planifikoni të parandaloni një përshkallëzim?

“Vendi ynë ka pasur një vit të mbarë. Ne jemi dëshmia se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah, me rritje 4%, eksporte +23, investime të huaja direkte +47. Jemi përmirësuar me 17 pozicione në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, e njëjta gjë për lirinë e shtypit. Jemi në vendin e parë në Ballkan Perëndimor për shtetin e së drejtës. Por marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normale dhe ne duhet ti normalizojmë”

Por një marrëveshje midis jush dhe presidentit serb Vuçiq duket e pamundur. Ju jeni në një debat me pyetje dhe përgjigje të ashpër. Deri në cfarë pike jeni të gatshëm të shkoni për paqen në vendin tuaj?

“Normalizimi i marrëdhënieve duhet të ketë në thelb njohjen reciproke. Serbia duhet ta njohë Kosovën. Besoj se propozimi i BE-së i shtatorit të kaluar mund të shërbejë si një bazë e mirë për diskutimet e mëtejshme drejt këtij qëllimi demokratik. Duhet të bëhet një presion ndërkombëtar”.

Gjithashtu edhe nga ana juaj pra, duhet të ketë një hap drejt Beogradit. I dërguari i SHBA-së në Prishtinë, Derek Chollet, ju ka tërhequr vëmendjen, duke ju kujtuar të respektoni marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave Veriore në shumicë serbe. A do ta bëni?

“Paraardhësit e mi kanë lidhur 33 marrëveshje në dhjetë vjet, në bisedime në Bruksel. Njëra prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. E vetmja marrëveshje që dështoi në testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, ne gjendemi në këtë vështirësi. Mendoj se Kosova garanton nivelin më të lartë të të drejtave të pakicave. Sidomos për minoritetin serb. Shteti ynë është i përbërë nga 93% shqiptarë, gati 5% serbë, pjesa tjetër janë boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, turq dhe goranë. Ne zbatojmë në mënyrë të njëanshme parimet e Kushtetutës sonë të shkruara nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari në periudhën para Shpalljes së Pavarësisë. Bëhet fjalë për standardet më të larta evropiane. Një asociacion etnik i komunave bie ndesh me frymën e Kushtetutës sonë”

Beogradi flet për diskriminim serioz ndaj popullatës së tij. A ka ndonjë të vërtetë? “

“Beogradi insiston në këtë pikë sepse ai nuk dëshiron të ketë një marrëveshje. Nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në 1999. Në realitet, ajo që duhet është që Serbia të njohë krimet e saj në historinë e saj të vonë, të distancohet nga e kaluara e saj, Millosheviqi, dhe nga e tashmja e saj, Putini. Për sa më takon, si kryeministër, unë jam këtu për nevojat e qytetarëve serbë. Kosova duhet të jetë një shoqëri multietnike dhe sovrane. Mendoj se është koha për të gjetur një dialog me Serbinë. Por nga propozimet e BE-së, të refuzuara nga Beogradi më 27 tetorin e kaluar, ata duan të nxjerrin vetëm atë që i përshtatet.”

Çfarë roli po luan Rusia në Ballkan?

“Kosova është obsesioni i Putinit. Vuçiqi, në vitet 1990, kishte si slogan “Serbia e Madhe”, ndërsa tani e ka ndryshuar në “Bota Serbe”, imitim i shprehjes ruse Russkiy Mir. Beogradi është regjimi klientelist më i afërt dhe më i fortë me Kremlinin. Serbia dëshiron sërish Serbinë e Madhe, dëshiron Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, dëshiron të transformojë Malin e Zi në Ukrainë dhe dëshiron të na e marrë veriun e Kosovës. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave nuk bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, por për territorializimin e të drejtave. Një mentalitet i ngjashëm me atë të presidentit despotik Putin.”

Vuçiq, megjithatë, po demonstron me deklarata se dëshiron të distancohet nga Moska. A po luan një lojë të dyfishtë, sipas jush?

“Serbia ka bërë një zgjedhje. Ka nënshkruar tre marrëveshje të mëdha me Rusinë: në maj, për gazin me çmimin më të lirë, në shtator, me marrëveshjen midis ish-ministrit të Punëve të Jashtme Selakoviq dhe ministrit rus Lavrov në Nju Jork për të sinkronizuar politikën e jashtme. Së fundmi, politikani serb më pro-rus, Aleksandar Vulin, ish-nënkryetar i partisë së udhëhequr nga gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq, tani është shefi i inteligjencës së Serbisë. Ka nga ata që nuk duan të shohin, kjo është shumë e qartë për mua”.

A mendoni se BE-ja po bën mjaftueshëm për të shmangur një prani ruse në Ballkan?

“BE duhet të jetë më e qartë dhe më e vendosur. Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, nuk dënoi agresionin ukrainas dhe Kisha Ortodokse Serbe është në të njëjtën linjë me Kirillin. Prandaj mendoj se BE-ja duhet të jetë e guximshme. T’i thotë të vërtetën Beogradit dhe të veprojë në bazë të rrjedhojave. BE-ja nuk duhet të jetë neutrale ndaj një shteti që nuk është neutral ndaj Rusisë”.

Cilat janë rreziqet?

“Rreziku konkret është se 48 baza operative janë të vendosura rreth kufirit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe dhe xhandarmërisë, më pak se 5 kilometra larg nesh. Aty qarkullojnë Night Wolves rusë (banda me motoçiklistë shumë afër Putinit shën. red.), dhe gjithashtu mercenarë dhe paraushtarakë Wagner. Ka foto me stemat e tyre. Ata ishin të pranishëm edhe në barrikadat në veri. Ato 16 barrikada ishin barrikada të Wagnerit”.

Keni frikë se veriu i Kosovës do të kthehet në Krimenë tuaj?

“Mendoj se Serbia dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkan, ku Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë Bjellorusia e vogël, dhe Mali i Zi do të bëhet Ukrainë. Për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri, si p.sh në Moldavi. Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”.

Çfarë prisni nga NATO?

“Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë kufiri midis NATO-s dhe Rusisë. Mendoj se nevojitet më shumë mbështetje nga NATO me më shumë ushtarë, përfshirë edhe italianë, në Kosovë dhe mbështetje për ushtrinë tonë”.

Çfarë prisni nga Italia?

“Italia është fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor. Është partner dhe aleat. Duhet të jetë më aktive dhe të na ndihmojë në ruajtjen e një paqe afatgjatë.”

Si e shihni Kosovën pas dhjetë vjetësh?

“Një muaj më parë e bëmë kërkesën për anëtarësim në BE. Në të kaluarën, më të shpejtat për t’u integruar ishin Suedia dhe Finlanda në tre vjet. Qipro dhe Malta, 14 vjet. Do të doja të qëndroja në mesatare, 9 vjet. BE-ja është projekti politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit të planetit pas Luftës së Dytë Botërore. Ne duam të hyjmë për të dhënë ndihmesën tonë”.

**********

Intervista e Kryeministrit Kurti për gazetën austriake Der Standard

 

Përkthim jo zyrtar

Në vijim gjeni intervistën e përkthyer në shqip të kryeministrit Kurti me gazetarin Adelheid Wölf, të realizuar me 5 janar 2023 dhe publikuar në Der Standard më 11 janar 2023.

Kryeministri i Kosovës Kurti: “Serbia e ka mbytur propozimin për marrëveshje”

Serbia nuk është aspak e interesuar për një marrëveshje kornizë me Kosovën, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po viziton Vjenën të mërkurën.

Në dhjetor, protesta dhe barrikada nga serbët shpërthyen në veri të Kosovës pas arrestimit të një ish-oficeri të policisë serbe. Problemet mes dy vendeve datojnë shumë më larg: Serbia nuk e njohu kurrë Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. Për momentin Beogradi nuk është aspak i interesuar për një marrëveshje kornizë me Kosovën, thotë kryeministri kosovar Albin Kurti në intervistën për STANDARD.

DER STANDARD: Pas krizës në veri të Kosovës, ka shumë pak besim nga serbët që jetojnë atje. Çfarë do të bëni për të ndërtuar më shumë besim në shtetin e Kosovës?

Kryeministri Kurti: Ne nuk jemi një vend i madh, por jemi një shembull i mrekullueshëm se si ekonomia dhe demokracia shkojnë me njëra tjetrën. Ne duhet ta ndajmë këtë përvojë me serbët tanë në Kosovë. Unë jam për mundësitë e barabarta, ligjin dhe rendin në shoqëri në tërësi – pa marrë parasysh se çfarë etnie, feje, moshe apo gjinie ka një person. Prandaj do të prezantoj një masë të re: një subvencion për punëdhënësit që prezantojnë një mjedis multietnik dhe multikulturor për punëtorët. Sipërmarrësit privatë do të marrin stimuj financiarë nëse punësojnë punëtorë të pakicave.

DER STANDARD: A duhet të kthehen edhe serbët që u larguan nga policia e Kosovës në fillim të nëntorit?

Kryeministri Kurti: Ne i kemi rishpallur të gjitha pozitat që kanë mbetur të zbrazura në polici. Nuk kam ndërmend të zëvendësoj serbët me shqiptarë. Një komision do të vendosë se kush do të pranohet. Nuk dua të përjashtoj personat që kanë dhënë dorëheqjen vetë, por nuk i bëj thirrje të kthehen sepse dua të aplikojnë edhe të tjerët. Ata serbë që nuk janë anëtarë të një partie gjithashtu duhet të kenë një shans (shumë serbë në veri kontrollohen nga partia Lista Srpska, krahu i zgjatur i qeverisë në Beograd, shënimi i redaktorit).

DER STANDARD: Kur do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që Manastirit Ortodoks Serb të Deçanit t’i kthehen 24 hektarë tokë?

Kryeministri Kurti: 24 hektarët i janë dhënë manastirit gjatë regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit. Megjithatë, është një temë shumë e ndjeshme dhe ka nevojë për shqyrtim dhe diskutim të plotë me të gjithë ata që janë të përfshirë. Do të doja të takohesha me përgjegjësit në Manastirin e Deçanit – por deri më tani ata nuk kanë pranuar të flasin me mua.

DER STANDARD: Tema është për një vendim të gjykatës kushtetuese, për sundimin e ligjit – jo për të biseduar me njëri-tjetrin.

Kryeministri Kurti: Ka shumë vendime të tjera gjyqësore që nuk janë zbatuar. Prisja që të flisja me përfaqësuesit e grupeve fetare për çështje teologjike dhe se ata do të ishin më të përqendruara te Zoti se sa në çështje materiale.

DER STANDARD: Në muajt e fundit, Franca dhe Gjermania kanë iniciuar një marrëveshje të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kur mund të zbatohet kjo?

Kryeministri Kurti: Më 18 gusht të vitit të kaluar pati një takim novator me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Së pari duhet të negociohet një marrëveshje kornizë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendova se ishte e mrekullueshme. Por Vuçiq ka thënë vazhdimisht se nuk është i interesuar për një marrëveshje të tillë kornizë. Ai është i interesuar për menaxhimin e krizave, për fenomenin e zjarrit dhe zjarrfikësit. Ju ndizni zjarre, pastaj vishni shpejt një xhaketë tjetër dhe thoni, unë mund ta shuaj zjarrin! Tre javë pas këtij takimi, përfaqësuesit e qeverisë franceze dhe gjermane, Emmanuel Bonne dhe Jens Plötner, erdhën këtu me ide që i konsideroj si bazë të mirë për diskutime të mëtejshme, sepse ato kanë të bëjnë me koncepte dhe ide universale për integritetin territorial dhe sovranitetin, të drejtat e njeriut, pavarësinë dhe demokracinë. Në të kaluarën kishte më shumë një ideologji të zgjidhjes së problemeve, një qasje “sui generis” me një oqean detajesh që dekurajonte të gjithë.

DER STANDARD: Dhe pse nuk ndodhi asgjë atëherë?

Kryeministri Kurti: Ka katër muaj që e kanë bërë këtë propozim – dhe ne kemi pasur vetëm një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Ne madje kishim një plan paraprak për të bërë marrëveshjen deri në mars ose prill 2023. Nuk e di se çfarë ndodhi ndërkohë. Nisma dhe vrulli janë rrëzuar. Më 27 tetor është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Serbisë. Dhjetë ditë më vonë, më 6 nëntor, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se në atë takim u refuzuar marrëveshja e planifikuar me Kosovën. Qeveria serbe me sa duket dha njoftimin për këtë vetëm dhjetë ditë më vonë, sepse ata ende donin të dukeshin mirë në samitin në Berlin më 3 nëntor. Në Berlin, ne përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruam tre marrëveshje. Unë jam i shqetësuar se disa njerëz në BE dhe ShBA po mbulojnë faktin që Serbia e mbyti propozimin e traktatit bazë.

DER STANDARD: Nëse ka një marrëveshje, cila do të ishte pjesa më e rëndësishme për ju?

Kryeministri Kurti: Në propozim janë përfshirë disa nga paragrafët e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972. Por Willy Brandt shkoi paraprakisht në Varshavë dhe kërkoi falje. Dhe marrëveshja ishte e mundur sepse dy Gjermanitë morën një vend në OKB nëntë muaj më vonë. Por me Rusinë dhe Kinën, ne nuk kemi një shans të tillë. Por bëhet fjalë edhe për faktin se pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën duhet të jenë gjithashtu të pajtimit.

DER STANDARD: A shihni ndonjë mundësi për këtë?

Kryeministri Kurti: Atmosfera është shumë më pozitive. Por nuk ka hapa konkretë, me një përjashtim: Greqia ka përmirësuar përfaqësimin e Kosovës në vend. Statusi i zyrës sonë në Athinë është për Ndihmë Ekonomike.

DER STANDARD: Zyrtarët e BE-së po kërkojnë gjithnjë e më shumë që Kosova të zbatojë Asociacionin Serb të Komunave të rënë dakord në vitin 2013. A ka ndonjë variant me të cilin mund të pajtoheni?

Kryeministri Kurti: Kushtetuta jonë nuk lejon asociacione të bazuara në kritere etnike, sepse paragrafi i parë i planit të Ahtisaarit thotë: Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Pra mund të kërkohet bashkim përgjatë maleve të Rugovës apo maleve të Sharrit, por ai nuk duhet të bazohet në identitet kombëtar. Pyes veten edhe pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk duhet të jetë e mjaftueshme – ajo përmban shumë mbrojtje të pakicave për serbët. Kur bëhet fjalë për Asociacionin Serb të Komunave, dua t’i referohem edhe Bosnje-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një asociacion; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë e tyre dhe më 28 shkurt 1992 i dhanë vetes kushtetutën, më 14 dhjetor 1995 kjo Republika Srpska u njoh ndërkombëtarisht me traktat në Dejton të Ohajos.

DER STANDARD: Dhe keni frikë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Kosovë?

Kryeministri Kurti: Jo, nuk e kam frikë. Kam frikë vetëm nga gjërat e panjohura. Por kjo dihet, ka një qëllim shumë të qartë.

DER STANDARD: Pra, ju përjashtoni një asociacion të komunave serbe?

Kryeministri Kurti: Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe të thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ju nuk mund të shërbeni një makiato kafeje pa një filxhan kafeje. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po ashtu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi.
Tani, duke ndjekur planin e Francës dhe Gjermanisë, ne kemi hyrë në një fazë të re. Në plan ka një paragraf për të drejtat e atyre që nuk i përkasin shumicës. Ju mund ta përfshini atë në këtë paragraf. Dhe brenda bisedimeve të normalizimit të plotë, ne mund të flasim për këtë. Deri më tani janë arritur 33 marrëveshje. Këtu nuk ka hierarki. Unë jam i interesuar për zbatimin – për shembull kur është fjala për pikën kufitare për në Zveçan, sepse atje është një rrugë ilegale që vazhdojmë ta mbyllim dhe ta hapim përsëri. Marrëveshjet nuk janë një byfe ku zgjedh ushqimin tend të preferuar. As dhjetë nenet dhe pesë fjalitë në preambulën e propozimit franko-gjerman nuk janë byfe.

DER STANDARD: Për shkak të presionit të SHBA-së disa javë më parë, ju është dashur të hiqni dorë nga përpjekjet për të futur targat kosovare edhe në veri. Çfarë bashkëpunimi dëshironi me fuqitë perëndimore?

Kryeministri Kurti: Bashkëpunoj shumë ngushtë me ShBA-në, Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, BE-në dhe NATO-n. Ne kemi simpati dhe bashkëpunim shumë më të madh me administratën aktuale amerikane sesa me atë të mëparshme. Që nga fundi i shtatorit 2021, MiG-29 u ngrit në kufirin tonë dhe trupat serbe erdhën në kufi, situata ka ndryshuar. Mund të debatoj me Serbinë, por kur ambasadori rus në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko, vjen me MiG-29, kjo është diçka tjetër. Kjo është arsyeja pse unë do të doja të shihja më shumë ushtarë të NATO-s këtu në Kosovë.

DER STANDARD: A ua mbajti anën dikush kur Aleksandar Vuçiq së fundmi ju quajti “llum terrorist”?

Kryeministri Kurti: Në përgjithësi, nuk ndjej se më trajtojnë njësoj. Perëndimi ka njëfarë frike nga potenciali destabilizues i Serbisë – dhe nga ana tjetër, ekziston naiviteti të mendosh se Serbia mund të detyrohet të kthehet përsëri në Perëndim së shpejti. Prandaj, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po bien në një gropë, skajet e së cilës janë aktualisht pritshmëri të ulëta të Vuçiqit tash, por pritshmëri të larta për më vonë. Prandaj, çfarëdo veprimi pozitiv që bën Vuçiq fryhet.

DER STANDARD: A është e sigurt që Kosova do të jetë pa viza Shengen deri në vitin 2024 dhe a ka mbështetje të mjaftueshme për anëtarësimin në Këshillin e Evropës?

Kryeministri Kurti: Po, udhëtimi pa viza do të vijë në vitin 2024. Dhe ne kemi mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por ende duhet të kalojmë disa procedura. Do të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO.