RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti takoi kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës

Shpërndaje

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit si Qeveri e Republikës së Kosovës me komunat e Kosovës anembanë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës. Ky është takimi i tretë radhazi i këtij formati brenda pak muajve.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se në Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak.

Kjo, siç tha kryeministri, duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik. Njëkohësisht kryeministri foli edhe për ndihmën dhënë qytetarëve dhe bizneseve, mbështetjen dhe nxitjen e prodhimit vendor në sektorin e bujqësisë, për arritjet në luftën kundër korrupsionit, aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkim Evropian e shumë arritje të tjera.

Duke theksuar veprimet e ndërmarra nga Qeveria për qytetarët nëpër komunat e Kosovës, kryeministri theksoi që bashkërisht, Qeveria dhe komunat, do të duhej që përmes ekzekutimit të mirëfilltë të buxhetit 2023, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve e ta zhvillojmë ekonominë e komunës e të vendit. ‘’Qasja jonë si Qeveri, është që të jemi afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet intensifikim i bashkëpunimit mes institucioneve tona’’, deklaroi ai.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, tha se është i hapur e i gatshëm të jem afër komunave, me gjithë kabinetin qeveritar, për t’u angazhuar bashkërisht për progresin demokratik, ekonomik e social të Republikës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar kryetarë e nënkryetarë të komunave të Kosovës,
I nderuari Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi,
I nderuari Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,
E nderuara Ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni të ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë tryezë, të ftuar me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit tonë si Qeveri e Republikës së Kosovës me komunat e Kosovës anembanë. Kjo është hera e tretë, që ne po takohemi në këtë format të takimit brenda pak muajve. Pra, kemi arritur të kemi takime të përbashkëta periodike, duke vlerësuar gjithmonë rëndësinë e bashkërendimit ndërinstitucional. Për të pasur Republikë të përparuar e me mirëqenie, të tilla duhet të jenë edhe komunat e shtetit tonë.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023 do të jetë mbi 3.2 miliardë euro dhe është buxheti më i lartë ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak. Kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik. Gjithashtu, duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve. Në këtë drejtim, unë, së bashku me ministrat, kemi realizuar një seri takimesh me qytetarë për t’ua prezantuar buxhetin në komunat, që e kemi vizituar.

Për vitin 2023, i kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet. Pra, që të kemi më shumë inspektorë, që të mbrohen të drejtat e punëtorëve, që të sigurohet cilësia e shërbimeve; mbrojtja e konsumatorit; dhe mbledhja e tatimeve, që mundëson ofrimin e shërbimeve më të mira publike.

Krahas sfidës së madhe për shëndetin publik, pandemisë Covid-19, e cila ndikoi në masë të madhe në ekonomi, vitin e kaluar e kishim edhe krizën e energjisë. Andaj disbursuam 95 milionë euro për të ndihmuar qytetarët e bizneset në përballje me këtë krizë. Po ashtu, i ndamë 6 milionë euro për 10 mijë familje për të subvencionuar pajisjet, që do të ulin rreth 70% konsumin e energjisë. E kemi investuar në efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në 7 komuna, ku janë investuar rreth 4 milionë euro dhe është arritur kursimi i energjisë në vlerë prej 11 milionë kilovat orë në vit.

Do të kemi rast që ta diskutojmë më në detaje gjatë takimit, mirëpo edhe ju si komuna duhet ta shihni mundësitë se si mund të ndihmoni më tej në planin afatgjatë.

Me qëllim mbështetjen dhe nxitjen e prodhimit vendor në sektorin e bujqësisë, vitin e kaluar patëm ndarë mbi 70 milionë euro për mbi 28 mijë fermerë. Kjo përbën përkrahjen më të madhe ndonjëherë nga qeveria për bujqit dhe për fermerët. Përmes investimeve kapitale kemi mundësuar rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemit të ujitjes për 7,750 hektarë tokë bujqësore në vlerë prej 4.1 milionë euro për 8 komuna. Për vitin 2023, buxheti për bujqit dhe fermerët e kap shifrën 87 milionë euro. Bashkë me mbështetjen nga fondet e jashtme, presim që ta tejkalojë vlerën prej 100 milionë euro. Javën e kaluar, së bashku me Ministrin Faton Peci kemi shpalosur Programin për Pagesa Direkte – 2023, që do të kontribuojë në sektorin e bujqësisë dhe forcimin ekonomik të bujqve tanë.

Këtë vit Kosova u ngrit për 17 vende në Transparency International për luftën kundër korrupsionit. Pra, në vitin, në të cilin lamë pas, kemi përmirësuar dukshëm imazhin e vendit tonë dhe e kemi përmbyllur vitin me aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkim Evropian. Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni, si dhe në këtë mënyrë ta shtojë bashkëpunimin me organizatat e organizmat ndërkombëtarë

Të nderuar të pranishëm,

Jemi angazhuar për digjitalizim dhe që shërbimet e digjitalizuara të avancohen. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, AShI-ja, përmes Platformës eKosova, e cila është platforma qendrore për ofrimin e shërbimeve të digjitalizuar, ka arritur që deri tani të ofrojë rreth 130 shërbime elektronike. Përkushtimi ynë në lehtësimin e shërbimeve për qytetarët ka bërë që në indeksin e Bankës Botërore të ngritemi nga grupi C në grupin B sa i përket fokusit në qeverisje digjitale. Digjitalizimi i shërbimeve dhe procedurave administrative komunale do të ndikojë në rritje të efikasitetit të shërbimeve, si dhe transparencë të institucioneve.

Të nderuar të pranishëm,

Jam shumë i interesuar që sot, e çdo ditë, e në çdo takim të këtillë, t’i kemi në agjendë këto çështje, që prekin drejtpërdrejtë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Ka edhe shumë projekte e nisma tjera të përbashkëta, por ka edhe shumë sfida. Andaj, bashkërisht, do të duhej që përmes ekzekutimit të mirëfilltë të buxhetit 2023, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve e ta zhvillojmë ekonominë e komunës e të vendit. Qasja jonë si Qeveri, është që të jemi afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet intensifikim i bashkëpunimit mes institucioneve tona.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam i hapur e i gatshëm të jem afër jush, me bashkëpunëtorët e mi që janë këtu sot, por edhe me gjithë kabinetin qeveritar, për ‘u angazhuar bashkërisht për progresin demokratik, ekonomik e social të Republikës.

Ju faleminderit shumë për pjesëmarrjen, për kontributin e rolin tuaj dhe e mirëpres po ashtu pjesëmarrjen e kontributin edhe në diskutimet gjatë ditës së sotme në këtë tryezë të tretë.

Tash po ia kaloj fjalën Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqit, në mënyrë që më pastaj të vazhdojmë me diskutime.

https://fb.watch/hZI2caUhjW/

Lajmi i plotë: Kryeministri Kurti takoi kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës