Rajoni

Kurti: Gati gjashtë shekuj më pas, Skënderbeu vazhdon të frymëzojë me historinë e tij

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar Gjergj Kastriotin Skënderbeu në 555 vjetorin e vdekjes së tij.

Sipas Kurtit, edhe gati gjashtë shekuj nga koha kur jetoi, Skënderbeu vazhdon të frymëzoj me historinë e tij, transmeton Klan Kosova.

“555 vite më parë, vdiq Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strategu i madh që për një çerekshekull i priu rezistencës kundër pushtimit osman në Arbëri, nga viti 1443 deri në vdekje më 1468. Historiani gjerman Jakob Philipp Fallmeryer, ishte ai i cili duke u mbështetur në një tekst të kronografit bizantin Georgios Sfranzis, e saktësoi datën e vdekjes së Skënderbeut, duke e fiksuar në 17 janar 1468”.

“Edhe gati gjashtë shekuj nga koha kur jetoi, Skënderbeu vazhdon të frymëzoj me historinë e tij. Skënderbeu ishte strategu ushtarak gjenial i cili me trupa ushtarake numerikisht të kufizuara, arriti t’u bënte ballë ushtrive të mëdha të forcës politike më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane. Skënderbeu ishte politikani që arriti t’i bashkonte në Lezhë (1444) në një aleancë politike dhe ushtarake, dinastët e shumicës së fisnikërisë arbërore, pasi kishin rënë me radhë nën vasalitetin ose dominimin e osmanëve.”

Kurti ka shtuar se diplomatët e tij si Pal Engjëlli, Gjergj Pelini dhe Gjon Gazulli por edhe vetë Skënderbeu, mbanin marrëdhënie diplomatike me Raguzën, me Republikën e Venedikut, me Janosh Huniadin e Hungarisë, me Papët e Selisë së Shenjtë në Romë si dhe me Alfonsin e Napolit dhe Aragonës, me të cilin lidhi Traktatin e Gaetës (1451).

“Siç është deklaruar edhe vetë si “mik i virtytit dhe jo i fatit”, Skënderbeu tregohej besnik ndaj aleatëve, aq sa për Ferdinandin I të Napolit, hyri në luftë me princat italianë (1461/’62) duke iu përgjigjur aleancës që kishte patur me të atin e tij, Alfonsin”.

“Me vulën e madhe dhe vulën e vogël në korrespodencat që lëshonte kancelaria e tij si dhe me stemën heraldike dhe ushtrinë e tij, Skënderbeu krijoi praktika të mirëfillta të një formacioni politik shtetëror sipas traditive mesjetare të kohës. Ai vazhdoi të besonte se mund ta përballonte depërtimin osman në Europë madje edhe kur Kostandinopoja ra në duart e osmanëve (1453), edhe kur disa nga fisnikët arbërorë i bënin oponencë apo edhe kur nuk i vinin ndihmat e premtuara nga perëndimi”.

“Shumë artistë dhe shkrimtarë nga Gentile Bellini te Spiro Xega, nga Antonio Vivaldi te Odhise Paskali dhe nga Henry Longfelloë te Naim Frashëri, krijuan vepra artistike për Skënderbeun, kurse rilindasit shqiptarë e vendosën figurën e Skënderbeut në qendër të rrugës për kombformim. Përveç Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, sheshet e shumë qyteteve në botë mbajnë buste dhe shtatore të Skënderbeut, ashtu siç emrin e tij e mbajnë shumë rrugë, sheshe dhe shkolla”.

Tutje, Kurti ka shtuar se autorë e studiues të shumtë shkruan biografi dhe libra për Skënderbeun, përmes të cilave mund të njihet jeta dhe historia e tij, qysh nga nga niveli i regjistrimeve të bashkëkohësve si Marin Barleti dhe Dhimitër Frangu, deri te studimet bashkëkohore historiografike nga Aurel Plasari dhe Oliver Jens Schmitt në kohën tonë.