Tërmeti, shpallen të pabanueshëm dy pallate në Klos

Shpërndaje

Dy pallate shpallen të pabanueshëm në Klos si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i së dielës. Një pallati 5-katësh në lagjen e re të qytetit të Bulqizës, në të cilin jetonin 10 familje, i është vendosur shiriti nga policia.

Pallati ka pësuar dëme në strukturë pasi rezulton i dëmtuar edhe nga tërmeti i 2019.

Bashkia e Bulqizës në bashkëpunim me policinë ka kërkuar evakuimin e banorëve nga pallati i shpallur i pabanueshëm. Të gjithë banorët e shpërngulur do të trajtohen me bonus qiraje.

“Bashkia e ka shpallur të pabanueshëm se ka marrë dëmtime edhe në 2019 por ne jetonim këtu. Bashkia na doli zot që do na trajtojë me bonus qiraje. Jemi duke kërkuar shtëpi”, thotë një banore.

Po ashtu pritet të evakuohen edhe 8 familje në një tjetër pallat 4-katësh në lagjen e vjetër të qytetit e Bulqizës.

Sipas të dhënave nga prefektuara e qarkut të Dibrës, janë mbi 30 banesa të konstatuara me dëme, kryesisht të lehta. Ndërsa 170 persona kanë raportuar dëme në banesat e tyre.

Për të verifikuar të gjitha dëmet, në terren janë angazhuar tre grupe pune nga Instituti i Ndërtimit.

Aktiviteti sizmik në zonën e Dibrës vijon të jetë aktiv, teksa edhe gjatë kësaj të marte Instituti i Gjeoshkencës ka regjistruar disa lëkundje të lehta./Tv Klan