Siri, kushtet e dimrit vështirësojnë jetën e civilëve në kampe

Shpërndaje

Sirianët që jetojnë në kampet ku civilët e zhvendosur me forcë u strehuan në provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë po luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira të dimrit.

Ndikimi i muajve të ashpër të dimrit dhe reshjet e shiut po e bëjnë edhe më të vështirë jetën e mijëra civilëve që jetojnë në kampet e tendave në Idlib, pranë kufirit me Türkiye-n.

Civilët e zhvendosur nga sulmet e regjimit të Bashar al Assadit dhe mbështetësve të tij përjetojnë edhe një dimër larg shtëpive të tyre, në tenda të improvizuara ku nuk ka infrastrukturë.

Mohammed Khalid, 73-vjeç, i cili shpëtoi nga sulmet dhe u strehua në kampin Ayn el-Beyda, për Anadolu Agency (AA) tha se dimri ishte i ashpër dhe se nuk kishin zjarr për ngrohje apo ushqim.

Khalid, i cili emigroi nga rajoni Jabal al Akrad i Latakias në vitin 2015, tha: “Gjëja më e vështirë që më ka ndodhur ndonjëherë në jetën time është të mërgoj nga fshati im. Sikur të kisha vdekur dhe të mos të vija në këtë kamp”.

Duke thënë se nuk mund të punonte për shkak të moshës së vjetër, Khalid theksoi se gjendja financiare e banorëve të kampit ishte shumë e keqe.

Hudhaifah Omar, i cili tha se kishte mbledhur lëndë djegëse për të ngrohur fëmijët e tij, u shpreh se moti ishte me shi dhe shumë i ftohtë.

Duke thënë se ai dhe fëmijët e tij po përpiqen të ngrohen me drutë që mbledhin nga malet, Omar tha: “Ne djegim gjysmën e druve që mbledhim për një orë gjatë ditës. Gjysmën tjetër e djegim natën. Ndonjëherë nuk mund të gjejmë dru për të ndezur zjarrin gjatë ditës”.

Poashtu Safiyyeh Shaami, e cila luftoi për të mbijetuar me 4 fëmijët e saj në kamp, ​​tha se kushtet e jetesës në kampe janë të dhimbshme.

Duke theksuar se ata po përpiqen të vazhdojnë jetën e tyre në varfëri, Shaami tha: “Nuk gjejmë bukë për të ngrënë. Nuk kemi dru për t’a ndezur sobën. Unë i ngroh fëmijët vetëm me një batanije”.

– Situata në Idlib

Në takimin e Astanës në vitin 2017, Türkiye, Rusia dhe Irani vendosën të krijojnë 4 “zona deeskalimi” në zonën që nuk është nën kontrollin e regjimit të Assadit.

Regjimi, terroristët e mbështetur nga Irani dhe Rusia vazhduan sulmet e tyre, duke pushtuar 3 nga 4 rajonet dhe duke u drejtuar në Idlib.

Megjithëse Türkiye arriti një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin me Rusinë në shtator 2018, sulmet u intensifikuan përsëri në maj 2019. Pas marrëveshjes së re mes Türkiye-s dhe Rusisë më 5 mars 2020, armëpushimi ruhet në masë të madhe.

Afërsisht 2 milionë civilë sirianë që ikën nga sulmet në vitet 2017-2020 u detyruan të migrojnë në zonat afër kufirit turk.