Kurti: Serbia i konsideron Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën si shtete të përkohshme

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për të përditshmen austriake „Der Standard“, ku temë e pazëvendësueshme e bisedës qenë marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.

Kurti beson se Serbia është shkaktari numër një i të gjitha problemeve në Ballkan, dhe në intervistë të gjerë ka folur edhe për Bosnjën, shkruan portali boshnjak „Klix“.

“Putini flet për Kosovën çdo javë. Ai është i fiksuar pas Kosovës. Ai mendon se Iraku dhe Afganistani ishin dështime dhe e urren që Kosova është një histori suksesi i NATO-s”, tha Kurti për të përditshmen e Vjenës.

Ai pretendon se Serbia është nën ndikimin e madh rus dhe se Beogradi i konsideron Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën si shtete të përkohshme.

“Serbia luan rolin e Rusisë në Ballkan. Ajo e sheh Republikën Srpska në të njëjtën mënyrë si Rusia e sheh fqinjin e saj Bjellorusinë, domethënë si një rajon nën kontrollin e saj”, thotë Kurti.

Kryeministri i Kosovës thotë se Serbia prej vitesh është një provincë ruse dhe se neutraliteti i Serbisë është vetëm i shtirur.

Ai thekson se selia rajonale e medias ruse “Sputnik” ndodhet në Beograd dhe 56 përqind e kompanisë serbe të naftës është në pronësi të Gazpromit, dhe 51 përqind e depove më të mëdha të gazit.

“Ajo që më shqetëson është neutraliteti i Perëndimit demokratik ndaj neutralitetit të shtirur të Serbisë”, nënvizoi kryeministri i Kosovës.

Ai rikujtoi se Serbia nuk vendosi sanksione kundër Rusisë, nuk e dënoi luftën kundër Ukrainës dhe Kisha Ortodokse Serbe, siç thotë ai, nuk solidarizohet me kishën ukrainase, por me atë në Moskë.