Një minutë heshtje para operacionit të 6-vjeçarit që dhuroi organet duke shpëtuar vogëlushë të tjerë

Shpërndaje

Në orën 01.30 të mëngjesit në spitalin e Patrës në Greqi nisi operacioni për heqjen e organeve të 6-vjeçarit Thomas.

Vogëlushi humbi jetën në këtë spital pas një goditjeje në tru më tre janar. Pas ngjarjes së rëndë, prindërit e tij vendosën që organet e tij t’i dhurojnë për të shpëtuar jetët e disa fëmijëve të tjerë.

Operacioni për marrjen e organeve të 6-vjeçarit zgjati gati 12 orë me pjesëmarrjen e ekipeve speciale nga Greqia dhe Italia, pasi “dhuratat e jetës” së Thomas do t’u transplantohen pacientëve nga këto dy vende.

Sipas asaj që raportojnë mediat greke, zemra e gjashtëvjeçarit do t’i dhurohet një vajze moshatare me të në Torino e cila jetonte me ndihmën e aparaturave. Mushkëritë do t’i jepen një djali 11-vjeçar në Bergamo dhe një pjesë mëlçinë e tij do të vendoset tek një foshnjë vetëm 5-muajshe dhe pjesa tjetër do të shkojë te një pacient në Romë.

Dy korneat dhe veshkat e vogëlushit do t’u jepen pacientëve në Greqi. Nëna e Thomas-it falënderoi ekipin e mjekëve ndërsa u tha se tashmë zemra e djalit të saj mund të rrahë sërish dhe “të përmbushë ëndrrat e Thomas-it dhe të fëmijës që do ta marrë”./A2news/