Paratë e vjedhura, Rama: Ligji të mos ndalojë para askujt

Shpërndaje

Ndryshe nga opozita që vjedhjen e 120 mijë Eurove në shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosit e sheh si simbol të korrupsionit të qeverisjes socialiste, kreu i qeverisë, Edi Rama thotë se ky është shembulli më i qartë i funksionimit të Reformës në Drejtësi që mazhoranca aktuale ka mbështetur.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai nënvizon ky është një tjetër rast që vërteton vullnetin e shumicës socialiste në luftën kundër korrupsionit.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë”!

Mandej ai kërkon që forca e ligjit të mos mbetet vetëm në këtë nivel, por të vazhdojë para kujtdo që ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me pushtetin për përfitime të veta.

“Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”.

Të shtunën policia arrestoi Rozeta dhe Havier Dobin pasi në shtëpinë e tyre gjeti 120 mijë Euro dhe sende të tjera me vlerë të vjedhura në shtëpinë e ish-funksionares së lartë të shtetit, Alda Klosi./Tv Klan