Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit është në prag të dështimit

Shpërndaje

Sezoni turistik në Kodrën e Diellit po shkon drejt dështimit. Edhe pse ishin bërë parapërgatitjet e duhura për një sezon të mirë turistik, megjithatë, mungesa e borës për skijim, ka bërë që ky sezon të jetë më i vështiri i disa dekadave të fundit. Reshjet e mbrëmshme të borës dhanë pak shpresa, megjithatë, dielli i sotëm bëri që sërish mos të ketë kushte për skijim.

“Për fat të keq nuk patëm reshje të mjaftueshme këtë sezon. Edhe pse mbrëmë patëm reshje të reja afër 17 cm dhe dolëm për ti përgatitur shtigjet, por fatkeqësisht s`kemi borë të mjaftueshme për të hapur sezonin turistik. Këtë sezon turistik kemi humbje serioze sepse kulmi i sezonit do na kalojë më dhe çdo reshje e re nuk do sjellë atë që e planifikuam andaj një ndihmë nga ana e shtetit është e mirëseardhur”, tha Adem Avziu, Drejtor i Elem Turs.

Me humbje të mëdha sivjet po punojnë edhe kapacitetet hotelerike. Mbi 80 për qind e mysafirëve kanë anuluar prenotimet. Të vetmit turistë thonë drejtuesit e hoteleve, janë ata vendorë, që dalin për ajër të pastër.
“Kjo deri më tani është një nga sezonet më të këqija që nga fillimi i dimrit. Humbjet janë shumë të mëdha, hoteli u përball me mbi 20 për qind anulime nga turistët vendor dhe rreth 80 për qind anulime të turistëve të jashtëm që kishin rezervuar ardhjen këtu”, tha Metodij Çilimanov. udhëheqës turistik.

“Ne kemi punuar dhe punojmë me mysafirët vendor që kanë dalë vetëm për shëtitje për ajër të pastër. Pra për momentin është gjendje e keqe”, u shpreh Ashim Asani, pronar hoteli.

Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit, duhej të fillonte në 15 dhjetor, megjithatë mungesa e borës kanë bërë që edhe janari të kalohet pa skijim. /Bashkim Sulejmani/Alsat.mk