Xhaferi: Qershori dhe Korriku afati i fundit për nisjen e ndryshimeve Kushtetuese

Shpërndaje

XHAFERI: NUK KAM INFORMACIONE DERI KU JANË BISEDIMET ME ASH-në

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha sot se, muaji qershor apo korrik është afati i fundit për fillimin e procedurës për ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që procedura të përfundojë deri në nëntor, kur edhe përfundon skriningu nga BE.

Gjatë një brifingu me gazetarët, ai tha se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do ta zgjidhnin problemin e mungesës së votave të mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, por përkundrazi do të komplikonin çështjen.

“Për tejkalimin e problemit me shumicën, nevojitet që pushteti dhe opozita të ulen dhe të bisedojnë. Unë mund të shpall zgjedhje vetëm në momentin kur të pajtohen partitë politike që të shpërbëhet Kuvendi apo kur të përfundojë mandati në 90 ditët e fundit. Në kushte të tjera, partitë duhet të dalin me propozim adekuat” – deklaroi Talat Xhaferi.

Në lidhje me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, Xhaferi tha se nuk ka informacione se deri ku janë bisedimet për këtë. Ai tha se e mirëpret një shumicë të re parlamentare, duke shtuar se çdo mbështetje për punën e Kuvendit është i mirëseardhur.

“Derisa deputetët e opozitës nuk më informojnë se janë pjesë e shumicës, vlerësoj se gjendja në Kuvend është e njëjtë. Kuptohet, nga ata informata që i kam dhe siç shkojnë punët, besoj se ajo do të rezultojë me pozicionim të subjektit adekuat. Se kur do të ndodhë seanca për rekonstruimin e Qeverisë varet nga ajo se si do të përfundojnë bisedimet. Mund të jetë këtë javë, mund të jetë javën tjetër, ndërsa mund edhe të mos jetë” – tha Talat Xhaferi.

Kujtojmë se, Aleanca për Shqiptarët në kuvendin e Kryesisë Qendrore që u mbajt të shtunën, i dha dritë jeshile fillimit të negociatave për hyrjen e kësaj partie në qeveri. /KlanMacedonia/