AFAD: Pas tërmetit të djeshëm me magnitudë 6,4 ballë në Hatay, janë regjistruar 90 pasgoditje

Shpërndaje

Foto: Tahir Turan Eroğlu/AA
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se pas tërmetit me magnitudë 6,4 që ndodhi dje në provincën jugore turke Hatay, ndodhën edhe 90 pasgoditje, më e madhja prej të cilave ishte 5,8 ballë, transmeton Anadolu.

“Dje në orën 20:04 ka ndodhur një tërmet me magnitudë 6,4 ballë në rrethin Defne, Hatay. Më pas kanë ndodhur 90 pasgoditje, më e madhja prej të cilave ishte 5,8 ballë. Sipas informacioneve të marra nga SAKOM-i (Qendra e koordinimit të emergjencave), 294 shtetas të plagosur, 18 prej të cilëve rëndë, janë dërguar në spitale të ndryshme. Fatkeqësisht, humbën jetën gjashtë qytetarë tanë”, thuhet në deklaratë.

Më tej njoftohet se gjatë natës në rajon janë dërguar 6.000 tenda për qytetarët e shqetësuar nga tërmeti i fundit dhe thuhet se dërgimi i çadrave do të vazhdojë gjatë gjithë ditës me rrugë ajrore dhe tokësore.

Tërmeti i fundit vjen dy javë pas tërmeteve shkatërruese me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt, nga të cilat jetën humbën mbi 41 mijë persona.