ASH-ja merr katër poste të “Grupit të Zjarrit”

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët, përveç dy ministrave, një zëvendëskryeministri dhe dy zëvendësministrave, do t’i takojnë edhe dy Sekretarë shtetëror. Duket se BDI është kujdesur që partnerit të ri të koalicionit t’i japë edhe tre poste që aktualisht udhëhiqen nga zyrtarë të afërt të “Grupit të Zjarrit”. Gazeta KOHA merr vesh se Sekretar shtetëror në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Sekretar shtetëror në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të emërohen kuadro të ASH-së, ndërsa partisë së Arben Taravrit do t’i takojë edhe Spitali për Sëmundje Psikike në Bardovcë.

Aktualisht, Sekretar shtetëror në MPPS është Resmi Ejupi nga Gostivari, i afërt i Nevzat Bejtës, ndërsa sekretar në Ministrinë që udhëhiqet nga Artan Grubi, është Adnan Ejup – njeri i afërt i Izet Mexhitit. Qamil Kovaçi, drejtori aktual i Spitalit për Sëmundje Psikike në Bardovc dhe njeriu i afërt i Blerim Bexhetit, do të zëvendësohet me kuadër të ASH-së, thonë për KOHA burime zyrtare në BDI. Ndryshe nga emërimi i ministrave dhe zëvendësministrave që bëhet nga Parlamenti, emërimi i Sekretarëve shtetëror bëhet nga vet ministrat.

Paraprakisht, BDI kishte hequr dorë edhe nga posti i zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes, pozicion ky që udhëhiqej nga Bashkim Hasani, njeri i afërt i Nevzat Bejtës.