Erdogan pas takimit me Kurtin: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan në Stamboll të Turqisë.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast presidenti turk ka thënë se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe se pret që palët të tregojnë një qasje konstruktive.

“Ne i kushtojmë rëndësi madhorë zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore të Kosovës. Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojmë një qasje paqësore dhe konstruktive”.

“Shpresojmë që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Turqia është e gatshme që të ofrojë çdo ndihmë në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kjo kërkohet nga palët”.

“Do të vazhdojmë të ndërmarrin hapa për të fortifikuar marrëdhëniet vëllazërore me një Kosovë të begatshme e cila do të ishte garanci e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan

I nderuar president i Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të Presidentin Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit, kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash.

Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shek. XVI, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina – Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë. Për ne Samiu është nga etërit e Rilindjes sonë Kombëtare, për popullin turk ai konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, aty ku student ishte Hasan Prishtina. Emrin e të cilit sot e mbanë Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll, nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar.

E në Stamboll sot, bashkë me Presidentin Erdogan biseduam për raportet miqësore që kemi dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm që e kemi. Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme.

E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës.

Një nga synimet tona kryesore si Qeveri e Republikës së Kosovës, është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme.

Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik dhe tregtar. Kjo na gëzon, por nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij.

Në Kosovë kemi komunitetin turk i cili ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, por jo vetëm, komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot, përfaqësues të këtij komunitetit janë kudo në institucionet qendrore e lokale të Republikës së Kosovës duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë.

Në anën tjetër, qytetarët e Republikës së Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor e i suksesshëm në Turqi.

Bashkëjetesa është vlerë e të dy vendeve tona. Komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona.

Bazën e kemi të mirë. Lidhjet e forta. Vullnetin e madh. Andaj, le të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim.

Ju faleminderit.