Haradinaj: Plani franko-gjerman përfshin rrugën drejt NATO-s, prandaj jam pro

Shpërndaje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e përkrah planin franko-gjerman, pasi sipas tij është pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë dhe ka përkrahjen e SHBA-së.

Ai më tej ka thënë se në këtë plan përfshihet edhe anëtarësimi në NATO, prandaj thotë se kjo e bën të pranueshëm për të këtë plan, raporton Zeri.info.

“Kemi konfirmim direkt se menjëherë me këtë marrëveshje, kemi konfirmim nga SHBA-ja që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesorë, ecjen drejt NATO-s. Derisa s’kemi hyrë në rresht në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n, Kosova s’është e sigurt. Zhbllokohet anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura jonë drejt BE-së. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”, tha Haradinaj.

Ai më tej shtoi se në procesin e dialogut Kosova s’duhet të jetë pala e humbur, teksa u shpreh se me marrëveshjen finale ndodh ndarja finale me Serbinë.

“Në marrëveshjen me Serbinë, Kosova nuk duhet ta kthejë veten në palën humbëse dhe jo të vlerësohet si pala që s’ka kryer punë. Kjo është finalja, kjo është marrëveshja, s’do të ketë më marrëveshje. Nëse Serbisë i kërkohet njohja jonë, e shqyrtojmë. Por të thuhet se ka edhe një marrëveshje këtu gabojmë. Kjo marrëveshje është ndarja finale me Serbinë”, u shpreh kreu i AAK-së. /Zëri