Kurti takohet me Admiralin e NATO-s: Kosova e gatshme t’ia kthejë të mirat Aleancës

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me admiralin Stuart B. Munsch – komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Postimi i plotë:

Edhe dita e dytë, dhe e fundit, e Konferencës së Sigurisë në Mynih ishte me shumë takime dhe shkëmbime.

Me kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte, në takimin tonë të parë bilateral, biseduam për marrëdhëniet dypalëshe dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Për avancimin demokratik të Kosovës në dy vitet e fundit, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës, bisedova me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson. Atë e falënderova për përkrahjen ndër vite dhe të pandërprerë të Suedisë ndaj vendit tonë.

Ndërkaq me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, folëm për forumin ekonomik Italian në Kosovë, që do të mbahet këtë vit, dhe për përfitimet që ky forum mund të sjellë në shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve tona.

Në Mynih u takova edhe me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch. Për vitin e dytë radhazi, Kosova do të jetë vend mikpritës dhe pjesëmarrës, kësaj radhe me 1365 ushtarë të FSK-së, në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga ushtria amerikane.

Implikimet që ka pasur dhe rreziqet që vazhdon t’i paraqes invazioni dhe agresioni Rus në Ukrainë për kontinentin, në veçanti Ballkanin Perëndimor, dhe miqësia, partneriteti dhe aleanca ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, ishin temat të cilat i diskutuam bashkë me kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.

Kurse me ish-kongresistin amerikan, tash Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre Theodore Deutch, folëm për miqësinë e kahmotshme dhe raportin përherë e më të avancuar mes dy popujve tanë dhe tash shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit.