Maqedoni

Matematikat për votimin e ministrave të rinj, shumica: I kemi numrat

Shpërndaje

Shumica parlamentare beson se i ka numrat për të votuar rikonstruimin e Qeverisë. Ndonëse në disa seanca gjatë ditës, mezi u sigurua kuorumi për punë dhe miratimi i rendit të ditës, nga BDI thonë se numrat janë dhe i bëjnë thirrje të gjithëve që si Aleanca për Shqiptarët, t’i bashkohen frontit Evropian.

“Sigurisht se ka shumicë të mjaftueshme madje edhe përtej asaj që është e nevojshme dhe domosdoshme për votim të Qeverisë. Dëshira jonë dhe ftesa jonë është edhe për Alternativën edhe për Besën dhe për të gjithë ata të cilët i bashkëngjitën ftesës për krijimin e frontit të përbashkët Evropian”, deklaroi Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.

Nga Aleanca për Shqiptarët, gjysma e deputetëve të së cilës sot nuk ishin prezent në sallë thonë se mbajnë përgjegjësi për 8 deputetët e tyre. Sipas deputetit Halil Snopçe, partia e tyre nuk do t’i hynte matematikave për t’u bërë pjesë e shumicës pa pasur numrat e sigurt.

“Ne nuk dyshojmë se do të ketë numra, mirëpo për atë që japim garanci janë 8 deputetët e ASH-së që e mbështesim këtë shumicë të re. Marrëveshja është e qartë. Ne nuk besojmë se dikush hyn aventurave të tilla pa pasur numrat. Ne si ASH i garantojmë votat e 8 deputetëve tanë”, tha Halil Snopçe, Deputet i ASH-së.

Në seancën e parë sot nuk u paraqitën deputetët e Alternativës, parti e cila shkon në opozitë si pasojë e hyrjes së ASH-së në Qeveri. Në sallë nuk ishte as Izet Mexhiti i BDI-së, Skender Rexhepi si deputet i pavarur dhe as Kastriot Rexhepi. Vonë u paraqitën deputetët e Lëvizjes Besa, ndërsa kuorumin për punë e siguroi E Majta me dy deputetët e tyre, për shkak se VMRO-DPMNE-ja nuk hyri në sallë.

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Nikolla Tupançevski. Në vendin e tij është propozuar të vij Krenar LLoga nga ASH-ja. U konstatua edhe dorëheqja e ministrit të Ekologjisë, Naser Nuredini. Në këtë resor LSDM-ja ka propozuar Kaja Shukovan. U konstatuan edhe dorëheqjet e zëvendësit të Drejtësisë dhe zëvendësit të Shëndetësisë. Kuvendi do të debaton për shkarkimin e Bekim Sali nga Shëndetësia, Admirim Haliti nga Shoqëria Informatike, Bashkim Hasani si zëvendës i Mbrojtjes dhe propozimet tjera për shkarkim. Gjithashtu do të debatohet edhe për propozimet e reja për ministra dhe zëvendësministra. Me ASH-në në Qeveri, shumica parlamentare do të ketë 67 deputet varësisht pozicionimit të deputetëve që janë pjesë e grupit zjarrit brenda BDI-së, deputetëve të pavarur dhe deputetëve nga koalicioni parazgjedhor i LSDM-së. /Alsat.mk