Mbi 70 vite shoqëri, bashkë shkojnë edhe në xhami: Njihuni me dy haxhinjtë nga Sllupçani

Shpërndaje

Në këtë botë të rrëmbyer nga materializmi, shoqëritë kryesisht janë të bazuara në interes. Por shoqëri e tillë nuk është ajo mes haxhi Zija Memeti dhe haxhi Bejadin Ramadanit nga Sllupçani. Shoqëria e tyre është hakikat dhe për hir të Zotit dhe zgjat mbi 70 vite, që nga ditët e fëmijërisë.

Edhe pse kanë kaluar të 80-tat, ata sot e kësaj dite bashkë shkojnë në xhami dhe kafenë e pinë bashkë.

Pengesë nuk është as fakti që haxhi Bejadini tani një vit është në karrocë, për shkak të pleqërisë. Haxhi Zijai çdo mëngjes shkon e mer në shtëpi bashkërisht për ta pirë kafenë e mëngjesit dhe pastaj për të shkuar në xhami për të falur namazin.

Kuptohet se pasardhësit e tyre kanë në disponim vetura për t’i dërguar deri te xhamia dhe kafeneja dhe për t’i kthyer, por ata ende nuk pranojnë një gjë të tillë. Duan ta kalojnë bashkë rrugën edhe për të evokuar kujtime, por edhe për të folur për përditshmërinë.

Sllupçani ka dhënë shumë shembuj pozitivë edhe më herët edhe në të kaluarën e afërt. Gjithsesi një shembull i tillë është edhe kjo shoqëri mes dy pleqëve të urtë dhe besimtarë të devotshëm. Shembulli i tyre duhet respektuar dhe pasuar edhe nga rinia, për të kuptuar se në këtë botë gjithçka kalimtare, e të përhershme janë vetëm veprat e mira.