Shëndetësia, Drejtësia e Mjedisi i jepen ASH-së?!

Shpërndaje

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, nuk pajtohet që fronin e Ministrisë së shëndetësisë t’ia lëshojë Aleancës për Shqiptarët. Këtë Gashi e ka deklaruar për portalin Nistori, ku theksoi se nëse kryeministri nuk është i kënaqur me punën e ministrit Bekim Sali, atëherë Alternativa do ta zëvendësoj atë dhe në vend të tij do ta propozojnë deputetin dhe ish ministrin e kulturës, Hysni Ismailin. Për këtë kërkuam konfirmim nga kjo parti, nga ku na e kthyen këtë përgjigje:

“E kuptojmë interesimin e publikut, por në këtë moment organet partiake të Alternativës ende nuk kanë marrë qëndrim përfundimtar lidhur me zhvillimin aktual të situatës politike në Maqedoninë e Veriut. Kur kjo të ndodhë, qytetarët do të informohen për të gjitha vendimet tona”, thonë nga Alternativa.

ASH pritet që ta marrë edhe Ministrinë e Drejtësisë resor i udhëhequr nga LSDM, çështje e cila jozyrtarisht është e mbyllur.

“Këtë pyetje tashmë po e parashtrojmë për herë të tretë brenda dy ditëve dhe në pjesën më të madhe të mediave u tha se Ministria e drejtësisë është një nga ministritë që do të vendoset në “Pazar3”, thënë në mënyrë figurative, se do të jetë në bursë në lidhje me disa rokada të caktuara ose në lidhje me disa ndryshime të vendeve ministrore. Nuk jam i sigurt nëse ndryshimi i shpejtë i ministrave përfaqëson zgjidhjen më të mirë, megjithatë në mënyrë definitive gjithçka nuk varet nga Ministria e drejtësisë”, tha Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë.

Në mbledhjen e Bordit ekzekutiv të LSDM-së që u mbajt mbrëmë u formua ekip i cili do të udhëheqë negociatat e mëtejshme. Përveç kryetarit të partisë, Kovaçevskit, në këtë ekip do të marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm Mile Zeçeviq, anëtari i Bordit qendror, Lupço Nikollovski dhe koordinatori i grupit të deputetëve, Jovan Mitrevski.

“Kjo gjithashtu do të thotë rritje e shumicës parlamentare. Ky është hap përpara për zgjerimin e Lidhjes për mbështetje të anëtarësimit në BE me të gjithë reformat, hapat dhe vendimet e nevojshme. Diferencë e qartë nga dy partitë politike në Kuvend që janë kundër BE-së, VMRO-DPMNE dhe E Majta”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Resori i tretë, të cilin duhet ta lëshojë BDI pothuajse është e sigurt se do të jetë Ministria për ambient jetësorë. Edhe pse edhe nga LSDM edhe nga ASH thonë se hyrja e tyre në Qeveri është për t’u përforcuar mbështetja për anëtarësim në BE, megjithatë siç duket kjo më së shumti do të thotë edhe sigurim i shumicës të qëndrueshme parlamentare pasi që vazhdimisht e më të zëshme janë paralajmërimet se Grupi i Zjarrit i BDI-së do të formojë grup të ri parlamentar.