Tragjedi në Shkup, digjet një vajzë e mitur
Një aksident ka ndodhur mbrëmë në lagjen Ilinden në Shkup, ku një vajzë e mitur ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka rënë në një cisterne të magazinuar pranë Stacionit Hekurudhor në Shkup.
Sipas informacioneve të MPB-së, të miturit i kanë vënë zjarrin një cisterne pranë stacionit hekurudhor dhe më pas kanë njoftuar se në cisternë që mori flakë ndodheshe një vajzë e mitur. Fillimisht rastin e ka raportuar personi S.K nga Shkupi, i cili ka larguar fëmijët nga zjarri që ka rënë në cisternë.
“Në orën 21:05. në NP-Petrovec, personi S.K. nga Shkupi raportoi se një cisternë është djegur nga disa të mitur në lagjen Ilinden afër stacionit hekurudhor. Dy fëmijët e mitur ndodhen në shtëpinë e tij dhe pas bisedës me fëmijët bëhet me dije se në cisternë ka një femër të mitur dhe se ajo ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë për zbardhjen e rastit. Ky është informacioni fillestar siç raportohet. Më shumë detaje do të kemi më vonë”, informon MPB-ja.
Detaje për tragjedinë në Ilinden të Shkupit
Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, së bashku me ekipet hetuese të MPB-së dhe obduksionin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, në vendngjarje kanë kryer hetim në një stacion hekurudhor në komunën e Ilindenit. Sipas informacioneve fillestare, një vajzë 14-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje elektrike, thuhet ne njoftim.
Nga informacionet e para mësohet se aksidenti ka ndodhur teksa vajza dhe dy fëmijë të tjerë po luanin rreth vagonëve të parkuar dhe në një moment ajo është ngjitur në një nga vagonët dhe ka prekur telat e tensionit të lartë. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të vajzës së ndjerë, thuhet në njoftimin e prokurorisë publike.
Janë intervistuar dy të miturit që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, është fotografuar vendngjarja dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë çuar në ngjarjen tragjike.
”Me datë 25.02.2023 në ora 21:05 në RSSH Shkup është raportuar se në stacionin-magazin hekurudhor në lagjen Ilinden ka një vajzë të mitur të vdekur. Pas kontrollit të kryer nga zyrtarë policorë dhe prokurori publik, është konstatuar se një i mitur i cili ndodhej aty me dy të mitur të tjerë, është ngjitur në çatinë e cisternës e cila ndodhej në linjën hekurudhore, duke shkaktuar rrymë. E mitura ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Emergjencave Mjekësore, thuhet në njoftimin e MPB-së.