Zgjerimi i shumicës, ja kur pritet të përfundojnë bisedimet me ASh-në

Shpërndaje

Bisedimet mes ASh-së dhe LSDM-së me partnerët e tjerë të koalicionit pritet të përfundojnë brenda muajit shkurt. Nga partia e kryeministrit Kovaçevski, thonë se konsultimet programore mes palëve po vazhdojnë, ndërsa riformatimi i qeverisë mund të futet në procedurë parlamentare në fund të muajit shkurt.

“Me marrjen e vendimit për formimin e grupit të punës edhe zyrtarisht fillojnë bisedimet dhe konsultimet për përcaktimet programore me Aleancën për Shqiptarët. Pritjet tona janë që gjatë këtij muaji do të përfundojnë të gjitha bisedimet dhe do të finalizohet procesi dhe do të hyjë në procedurë parlamentare.”, – deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaveski.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se bisedimet vazhdojnë dhe se për momentin s’ka asgjë konkrete për të ndarë me opinionin. ASh ka pranuar ftesën për të shqyrtuar mundësinë për bashkëqeverisje, fillimisht, për shkak të përcaktimit pro integrimit në BE, por siç thonë, edhe për të valorizuar përcaktimet programore për luftë efektive kundër korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme si dhe zbatimin e vetingut.

Alternativa, nga ana tjetër ka zbutur tonet kundër përfshirjes së ASh-së në qeveri. Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, ka deklaruar se janë bashkëpunues dhe të gatshëm për kompromis edhe rreth rishpërndarjes së resorëve. Megjithatë, vendimin përfundimtar do ta marrin organet partiake pasi të përfundojnë negociatat mes LSDM-së dhe ASh-së.