Haradinaj pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja, interes nacional

Shpërndaje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Haradinaj ka thënë se Lajçakut ia ka shprehur vlerësimin e tij për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshjeje, ndërsa ka vlerësuar edhe angazhimin e SHBA-së, transmeton Zeri.info.

“I kënaqur që sot në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me kolegë, pritëm në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun z. Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, të cilët na informuan në hollësi për progresin e arritur deri më tash në përfundimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Shpreha vlerësimin tim për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshjeje. E vlerësova lart angazhimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në funksion të arritjes së marrëveshjes, rol i cili është jetik në zbatimin e saj”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka përsëritur se për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi e siguron rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.