Në UT u organizua MasterClass njëditor kushtuar terapisë me grimca

Shpërndaje

Në Universitetin e Tetovës, sot u mbajt MasterClass, me temë: “Terapia me grimca”, veprimtari kjo që u realizua nga profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Bashkim Ziberi, përfaqësuesja e shkollës së mesme “7 Marsi”, Nermine Muradi dhe Yiota Foka nga GSI Darmstadt. Ky takim organizohet si një punëtori në kuadrin e “International Masterclasses for High School Students”, si pjesë e International Particle Physics OutreachGroup(IPPOG), një program që përfshin më shumë se 225 universitete dhe institute kërkimore nga 60 shtete të ndryshme.

Në këtë Masterclass morën pjesë nxënës të shkollave të mesme nga Tetova dhe Gostivari. Ata patën mundësi që të mësojnë rreth terapisë së grimcave kundër kancerit, si shembull shumë i suksesshëm i hulumtimit bazë që është zhvilluar më tej deri në pikën e përfitimit të drejtpërdrejtë për pacientët. Nxënësit mësuan se si lidhet fizika me mjekësinë, duke e kaluar një ditë në rolin e shkencëtarit në fushën e fizikës për terapinë me jone të rënda.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti me prorektorët: Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prof. Dr. Ibrahim Neziri. Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i përgëzoi profesorët për këtë organizim nëpërmjet të cilit krijohet një urë e re bashkëpunimi midis universitetit dhe shkollave të mesme. “Shpresoj se kjo do të jetë një lidhje shumë e suksesshme, ku përveçse do të mësoni gjëra të reja, do të keni mundësi nga afër t’i shihni edhe kushtet me të cilat disponon Universiteti ynë, duke filluar nga profesorët që do të jenë pjesë e këtyre trajnimeve deri te kushtet infrastrukturore, që në të ardhmen të filloni studimet ose t’i vazhdoni studimet në universitetin tonë. Është shumë e rëndësishme që pikërisht në fusha të shkencave të realizohen aktivitete të tilla, për faktin se është me rëndësi që ju t’i shihni përfitimet praktike të këtyre shkencave dhe mundësitë të cilat i ofrojmë. Besoj se do të jetë një pikë kthese në ndërtimin tuaj të ardhshëm profesional. Ju them që në të ardhmen të mendoni të jeni pjesë e këtij universiteti pikërisht si studentë”, u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Gjatë kësaj punëtorie, nxënësit e shkollave të mesme patën mundësinë të mësojnë për metodat inovative të terapisë së kancerit duke përdorur grimca të ndryshme, duke filluar nga parimet mjekësore dhe fizike të terapisë me tufa jonike. Aplikimi klinik u shpjegua duke marrë shembull qendrën e terapisë me tufa jonike në Heidelberg të Gjermanisë. Gjatë ushtrimeve “hands-on”, nxënësit patën mundësi të krijojnë vetë plane trajtimi me rrezatime të ndryshme (fotone, protone, jone) përmes programit profesional pa kosto të quajtur matRed.