Osmani: Të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave turistike të Evropës

Shpërndaje

Sot, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u hap edicioni i dytë i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit – Kosova 2023 (KIFT), i cili do të zgjasë deri më 18 mars.

Ky panair theks të veçantë ka promovimin e turizmit të Kosovës si dhe të krijojë lidhje më të forta bashkëpunimi me subjekte të ndryshme të turizmit në Ballkan, por edhe në Evropë.

Me rastin e hapjes së panairit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se Kosova ka potencial turistik. Sipas saj, pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të jashtëzakonshme për turistët.

Osmani potencoi synimi është që Kosova ta bëhet pjesë e paketave turistike të Evropës dhe jo vetëm Ballkanit.

“Turizmi kontribuon ndjeshëm në rritjen ekonomike të shtetit, duke qenë se përfshin lëvizjen e njerëzve nga një vend në tjetrin me qëllim të kalimit të kohës së lirë të bizneseve. Sot, turizmi si industri globale krijon vende të shumta të punës dhe të ardhura për qytetarët tanë…Disa nga komunat e Kosovës e kanë pjesë të planeve të zhvillimit të tyre strategjik edhe turizmin, kjo është tejet përfituese jo vetëm për komunat por edhe për secilin biznes e secilën veprimtari që mund të zhvillohet në vend. Kësisoj Kosova po paraqet një nyje lidhëse tejet të rëndësishme ndërmjet vendeve fqinje. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm turistik me bukuritë e saj natyrore dhe Kosova nuk është më pak e bukur se vendet e shumta që ne vizitojmë, ka bukuri të jashtëzakonshme, mjaftojmë t’i mbrojmë ato dhe t’i promovojë si shtet…Shteti ynë dita ditës po konsolidohet në hartën globale me aktivitete kulturore të cilat i kanë kapërcyer kufijtë tanë…Por, ka ende shumë punë për të bërë në sferën e turizmit, në këtë rrafsh digjitalizimi i destinacioneve turistike, i cili është ndër synimet kryesore të institucioneve të Kosovës. Duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave turistike të Evropës dhe jo vetëm të Ballkanit”, tha Osmani.

Osmani përmendi edhe festivalet e ndryshme kulturore që organizohen në Kosovë, derisa tha se kanë shndërruar Kosovën në adresë të pakapërcyeshme e që e sipas saj, e kanë ndryshuar imazhin e Kosovës.