Reforma në drejtësi, Rama: Koha e të paprekshmëve ka mbaruar

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se, “reforma në drejtësi po tregon se koha e të paprekshmëve dhe të strehuarve nën ombrellën e pushtetit ka mbaruar”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me dy zyrtarët e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Oliver Varhelyi, Rama u ndal tek ecuria e reformës në drejtësi.

“Sot mund të konstatojmë ecurinë e reformës në drejtësi, që ka filluar të japë fryte domethënëse. Natyrisht, nuk është një fushë me lule, ka edhe ajo ferrat e gropat e veta, por një gjë është fakt, në Shqipëri po ndodh ajo që deri shumë pak kohë përpara askush nuk e imagjinonte. Drejtësia në Shqipëri, institucionet e reja, SPAK, po godet njerëz e individë të lidhur me pushtetin apo jo. Por këta të parët kanë më shumë rëndësi se të tjerët”, tha Rama.

Rama tha se, “siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi, reforma në drejtësi, institucionet e drejtësisë dhe ne bashkë me to, po tregon se koha e të paprekshmëve dhe të strehuarve nën ombrellën e pushtetit ka mbaruar”.

“Unë jam krenar që në rajon, Shqipëria është i vetmi vend që e ka bërë këtë reformë dhe e ka hedhur këtë hap. Nuk di asnjë vend tjetër të rajonit ku drejtësia godet pa parë majtas e djathtas, por vetëm drejt”, tha Rama.

Sipas tij, “reforma po jep rezultate, por natyrisht që zbatimi ka problemet e veta, nuk është fushë me lule, ka ferra, ka gropa, por ne nuk i kemi vënë në asnjë moment në diskutim atë që drejtësia e re vendos”.

“Cilido qoftë nëse ka punë me drejtësinë duhet të marri avokat. PS që qeveris, qeveria, nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd dhe kjo është një arritje domethënëse e Shqipërisë”, tha ai.