“Behtel-Enka”, mori 120 milionë eurot e para nga shteti

Shpërndaje

Qeveria ka transferuar 120 milionë eurot e para në llogarinë e kompanisë “Bektel & Enka”. Kjo shumë është më pak se 10% e vlerës së shpallur të katër autostradave që kjo kompani amerikano-turke ende nuk i ka ndërtuar dhe në fund do të marrë mbi 1.3 miliardë euro. Informacionin e konfirmuan autoritetet pa e përmendur shumën, por theksojnë se është paradhënie për realizuesin që do të përdoret për aktivitete logjistike para fillimit të ofensivës ndërtimore.

“Në fillim kur i sjellim të gjitha kompanitë në punë, u paguajmë paradhënie për mobilizimin e kompanisë që do të bëjë ndërtimin dhe të gjitha shpenzimet e tjera. Në këtë mënyrë dhe sipas kësaj marrëveshjeje që e kemi me kompaninë “Bektel & Enka” dhe sipas programit të kaluar për punë në Qeveri, duhet ta respektojmë marrëveshjen, sepse fondet janë nga buxheti dhe duhet të realizohen të gjitha transaksionet që dalin nga marrëveshja”, u shpreh Ejup Rustemi- drejtor i NPRrSH.

Opozita mban ende qëndrimin se para punimeve të ndërtimit, “Bektel & Enka” do të marrë nga shteti diçka mbi 300 milionë euro. Qeveria e mohoi këtë edhe sot, por opozita pretendon se vendi do të paguajë gjoba sepse është vonuar në ndryshimin e ligjeve kyçe në Kuvend. Qeveria u angazhua për këtë para konsorciumit të huaj.

“Ju qytetarët para dy ditëve paguat 120 milionë euro për asgjë, nuk kanë vendosur asnjë gozhdë. Ende nuk kanë vendosur gozhdë dhe prandaj kur themi se dikush do të mbajë përgjegjësi për këtë krim, e mendojmë vërtet. Po e përsëris, ne nuk jemi kundër ndërtimit, por jemi për ndërtim të duhur dhe ligjor”, deklaroi Hristijan Mickoski- kryetar i VMRO DPMNE-së.

Vetëm pak ditë më parë zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është përgjegjës për projektet e “Bektel & Enka”, theksoi se nëse konstatohet se është shpenzuar në mënyrë të dyshimtë vetëm një denarë, ai në shumës theksoi: “Të kalbemi në burg për jetë”. Lidhur me përzgjedhjen e mbikëqyrjes është hapur rast nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por lëndën e trajton edhe Komisioni kundër korrupsionit. Krahas kësaj, edhe pse qytetarët do të paguajnë, Qeveria pretendon se nuk lejohet t’i tregohet publikut kontrata, sepse është sekrete.