Marrëveshja me “Behtel & Enka” do të mbetet sekret! Pendarovski do ta mendojë nëse do të nënshkruajë për 60 orë punë në javë

Shpërndaje

Marrëveshja me “Behtel dhe Enka” ka një nivel të caktuar të besueshmërisë, andaj dokumenti nuk mund të publikohet, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Nuk tregon nëse brenda marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D ka dispozitë me të cilën parashihet obligimi për 60 orë punë në javë që ky konsorcium të mund të realizojë 23 kilometra në vit. Në të kundërtën shteti duhet të paguajë shuma marramendëse për pika penale.

“Të mundësohet vetëm për këtë projekt, për projekte të këtilla strategjike me rëndësi kombëtare, të ketë 60 orë pune në javë, që do të thotë se më shumë para do të mbeten në shtet, çdo punëtor që do të pajtohet vullnetarisht, për shkak se askush nuk do t’i ushtojë presion që të punojë 60 orë, do të paguhet sipas marrëveshjes kolektive dhe ligjit për marrëdhënie pune, për punën jashtë orarit të punës plus 50% për punën të dielave”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Për ndryshimet e ligjit që do të mundësojë punë 60 orë në javë ende nuk ka filluar debati në Kuvend dhe në këtë fazë mund të tregohet se janë bllokuar me mbi 1100 amendamente nga Levica, 2 nga VMRO-DPMNE dhe 3 nga VMRO popullore. Pyetjes në rast se miratohen ndryshimet e ligjit, nëse presidenti Stevo Pendarovski do ta nënshkruajë dekretin ose do të vendosë veto, ai tha se për këtë do të vendosë pasi t’i shqyrtojë këto ndryshimet.

“Kur të sillen ligjet në version përfundimtar, kur do t’i votojnë në Kuvend, atëherë do të ulemi me ekipin tim juridik dhe do të shohim nëse ka bazë për diçka të tillë. Përndryshe, në lidhje me nënshkrimin e dekretit për vlefshmërinë e ligjeve, zakonisht nuk pranoj këshilla prej askujt, më pak nga partitë politike”, tha Stevo Pendarovski, president.

Nga VMRO-DPMNE thonë se marrëveshja e nënshkruar është e dëmshme dhe mund të ndodhë që çdo muaj shteti të duhet të paguajë penale nga 2,1 milionë euro.

“Sipas dokumenteve që u publikuan, qeveria do të duhet të paguajë 53 milionë euro si pika penale për jorealizimin e javës pune prej 60 orëve në afat prej 45 ditëve që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes qeverisë dhe “Behtel & Enka”. Në mënyrë shtesë, çdo muaj qeveria do të duhet të paguajë nga 2,1 milionë euro më shumë si pika penale derisa zgjat realizimi. Kjo do të thotë se nëse deri më 22 prill nuk miratohet java pune prej 60 orëve, Maqedonia tashmë më 23 prill duhet të paguajë 53 milionë euro si pikë penale ndaj “Behtel dhe Enka” dhe çdo muaj të paguajë nga 2,1 milionë euro shtesë për dëmin që e shkaktuan Kovaçevski dhe Grubi”, deklaroi Eli Panova nga VMRO-DPMNE.

Konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka” parashihet që më 22 prill t’i fillojë punët për ndërtimin e katër autostradave të korridorit 8 dhe 10D. Sipas marrëveshjes ndërtimi do të kushtojë rreth 1,3 miliardë euro ndërsa afati për realizimin është deri në vitin 2027.