“Nuk ka shans që Kurti t’i shtyjë zgjedhjet në veri”
“Me aq sa jemi në dijeni nuk ka asnjë shanc që (Kryeministri i Kosovës) Albin Kurti do t’i shtyjë zgjedhjet në katër komunat (veriore të Kosovës me shumicë) serbe”, ka thënë ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq në një intervistë për televizionin publik serb.
Ditëve në vijim, tha ai, Serbia do të del me një qëndrim të bashkërenduar në lidhje me ngjarjet e fundit të tensionuara në pjesën veriore të Kosovës. “E dimë çfarë duhet të bëjmë dhe si t’i mbrojmë njerëzit tanë”, shprehet diplomati serb duke pretenduar se gjoja ekziston rrezik ndaj tyre që buron nga autoritetet e Kosovës.
“Ditëve në vijim arrijmë në një pajtim dhe deklarohemi gjatë javës, siç tha Presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq”, shtoi ai derisa “siguroi” se do të jetë qëndrim unik i kursit shtetëror të Serbisë.
Në dritën e këtyre pretendimeve të tij, Gjuriq beson se “nuk ka asnjë prospekt” nga, siç e quan ai, “regjimi i Kurtit”, rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve të arritur në Bruksel dhe Ohër. Por, “Kurtit do t’i duhet të merr përgjigjen e komunitetin ndërkombëtar”, beson ai.
“Nuk ka garanacione reale që Prishtina të ndërrojë kursin e saj, derisa rubineta nuk kthehet në anën tjetër dhe presion më serioz dhe më vendimtar nis të rëndojë mbi autoritetet e Prishtinës”, tha ai.
Kërkesat e Serbisë për zgjedhjet në veri të vendit, Gjuriq thotë se janë themelimi i Asociacioni të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe si dhe tërheqja e bazave “ilegale” policore nga ato zona.
Çështja e diskutueshme e zgjedhjeve në Veri
Tashmë shkëndijat e para të tensioneve në veri vetëm se kanë nisur disa javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit.
Djegie të veturave për arsye targash, sulme ndaj policisë kosovare, kërcënime me kryengritje të përgjithshme nga Lista Serbe e cila edhe bojkotoi zgjedhjet, arrestime, e të tjera, e kanë karakterizuar këtë muaj.
Më 23 prill zhvillohen zgjedhjte në veri derisa Lista Serbe, subjekti i cili gëzon mbështetjen më të madhe të elektoratit në ato zona (rreth 90%), ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë, duke e vënë në pikëpyetje mundësinë e mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve dhe legjitimitetin i cili do të prodhohej nga këto zgjedhje.
Afro tetë veturave iu vu flaka për shkak të konvertimit në targa RKS, ndërsa Lista Serbe as nuk është distancuar nga akti dhe madje ka kërcënuar edhe me kryengritje të përgjithshme. Aktet kriminale të zjarrvënies janë dënuar ashpër nga shtetet e QUINT-it.
Ndërkaq Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti përfaqësues të Listës Serbe në Rashkë, ku lajmëroi se gjatë javës do të dalin me një qëndrim rreth zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.