Serbët bojkotojnë zgjedhjet në veri të Kosovë/ Pjesëmarrje e ulët dhe masa të larta sigurie! LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna

Shpërndaje

Kosova zhvilloi këtë të diel zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.

Që në orën 7 të mëngjesit të së dielës qendrat u hapën për votuesit. Me pak vonesa edhe ato alternative iu përmbajtën orarit të përcaktuar nga institucionet e zgjedhjeve.

Megjithatë, disa prej tyre nuk pritën asnjë votues, dy prej të cilave ishin në komunën e Zubin Potokut. Në qendrën e votimit në Velje Breg në rrugën Mitrovicë-Bërnjak kanë të drejtë vote 4111 qytetarë, të gjithë të nacionalitetit serb, megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ka ushtruar të drejtën e votës.

Situatë pak më pozitive ishte në Leposaviq e në Zveçan që kishin numër simbolik të votuesve serbë. Edhe në qendrën e votimit në rrugën Mitrovicë- Jarinjë në dalje të fshatit Soqanicë ka pak votues. Mbi tre mijë janë të regjistruar për të votuar, por vetëm dy e kanë bërë këtë gjatë ditës së diel.

Një prej votuesve në Zveçan ishte vetë kandidatja për kryetare të komunës, Sllagjana PantovIç e cila erdhi e u përcoll për në shtëpinë e saj me një eskortë të policisë së Kosovës, të cilët gjatë ditës monitoruan situatën pranë vendbanimit të saj.

Pantoviç kërkoi paqe me shpresën që këto zgjedhje do sjellin ndryshimin.

“Mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha Sllagjana Pantoviç, kandidate për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Orët e para të mëngjesit nuk ishin aspak të frytshme as në qendrat e votimit të rregullta, në zonat ku shumicë ishin shqiptarët.

Pjesëmarrja më e madhe në votime ishte në radhët e komunitetit shqiptar në komunat veriore të Kosovës. Megjithatë, krahasuar me herët e kaluara, as komuniteti shqiptar që është shumicë në disa qendra të votimit nuk e shfrytëzoi sa duhet të drejtën e votës. Në qendrën e votimit në fshatin Lipë, nga 205 qytetarë me të drejtë vote, votuan vetëm 31% e tyre.

Por, në qendrat e votimit me shqiptarë në Çabër në Zubin Potok dhe Lipë të Zveçanit ishin që pasditja të sillte më shumë votues.

Këtë mëngjes pak ka, por shpresojmë që pas 11 e tutje do të ketë më shumë.

“Nuk ka pas asnjë provokim, siguria ishte në nivel”, tha Kujtim Peci, menaxher i qendrës në Lipë.

Krerët e institucioneve në Prishtinë u bënë thirrje qytetarëve të katër komunave veriore e sidomos serbëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, derisa kandidatët shqiptarë me të njëjtën kërkesë premtuan një të ardhme të mirë për qytetarët e veriut të Kosovës.

“Unë jam më se i bindur se për Mitrovicën po vijnë ditë më të mira”, tha DEK Erden Atiç, kandidat për Mitrovicën e Veriut, LVV.

“Votuam në këto zgjedhje e uroj që të dalin të suksesshme”, tha Izmir Zeqiri, kandidat për Zubin Potokun, PDK.

“Bëj thirrje te të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë atë e të votojnë kandidatin që për të është më mirë”, tha Taulant Kelmendi, kandidat për Mitrovicën e Veriut, PDK.

Qytetarët shqiptarë të veriut presin ndryshim të madh nga këto zgjedhje.

“Senet me lëvizë përpara, se serbët në atë anë janë të shantazhuar”, tha qytetari Naser Selimi.

“Për zhvillimin e vendit, të gjitha strukturat duhet të angazhohen edhe pas zgjedhjeve”, tha Azem Rama.

Këtë të diel nën rrezikun e tensioneve dhe incidenteve edhe Policia e Kosovës kishte shtuar prezencën në veri. Në 19 qendrat e votimit, ato alternative dhe të rregullta mbikëqyrej nga pjesëtarë të policisë. Gjatë gjithë procesit nuk u raportua për asnjë incident.

Deri në orën 15:00 votuan vetëm 2.4% e votuesve apo 1092 qytetarë nga 45 mijë e 95 sa kishin të drejtë vote në Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

20:27 Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç

Kandidati Erden Atiq ka marrë shumicën e votave në dy komunat. Kurse në Zveçan dhe Zubin Potok, sipas informacioneve është garë e ngushtë. Në këto dy komuna thonë që morën mbi 60% të votave.

19:08 Mbyllet qendra e votimit tek Tre Rokaqiejt në Mitrovicë të Veriut

Qendra e votimit tek Tre Rokaqiejt në Mitrovicë të Veriut është mbyllur. 22 vota janë në qendrën tek Tre Rrokaqiejt.

18:32 Zgjedhjet në veri të Kosovës, në Zubin Potok nuk ka votuar asnjë qytetar

Në katër qendra votimi në Zubin Potok, nuk ka votuar asnjë qytetar për zgjedhjet e parakohshme lokale në Kosovë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në qendrën e votimit në Veli Breg të Zubin Potokut janë të regjistruar 4.111 qytetarë me të drejtë vote. Që nga hapja e kësaj qendre të improvizuar të votimit të vendosur në kontejner, asnjë qytetar nuk ka shkuar.

17:11 VOA: Zgjedhjet në veriun e Kosovës, mes bojkotimit të partive serbe

Në 13 qendra votimesh të improvizuara në kontejnerë dhe gjashtë syresh në qendrat e rregullta, sot po mbahen zgjedhjet për kryetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Nga dhjetë kandidatë për këto poste në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti po i bojkotojnë zgjedhjet me kërkesën e Beogradit zyrtar.

16:12 Zgjedhjet në veri të Kosovës, KQZ: Pjesëmarrja e qytetarëve 2.4 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1.000 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës. Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote. KQZ-ja nuk raportoi për ndonjë pengesë në procesin zgjedhor.

14:01 Veriu i Kosovës voton/ Kryeministrja serbe ironizon procesin: Zgjedhje të lira me forca të armatosura

Duke shpërndarë fotografi të disa vendvotimeve në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se ato përshkruajnë në të vërtetë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike”, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.

11:53/ Serbët bojkotojnë zgjedhjet në Çabër, në fshat votojnë vetëm shqiptarët

Serbët duket se e kanë zbatuar me përpikmëri thirrjen për bojkotim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, megjithatë edhe nga pala shqiptare nuk kemi parë ende një dyndje të votuesve në qendrat e votimit. Qendra e votimit në Çabër, fshat me shumicë shqiptare që ka mbi 1000 votues, deri më tani kanë votuar mbi 40 persona.

11:29/ Zgjedhjet në Veriun e Kosovës! Në qendrën në Brelje Breg dhe Bërnjak, asnjë votues nuk ka votuar ende

Veriu i Kosovës ka nisur zyrtarisht zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore rreth orës 07:00 të mëngjesit, megjithatë në qendrën në Brelje Breg me 4111 votues, dhe në afërsi të kufirit në Bërnjak, zonë me 629 persona me të drejte vote, nuk ka votuar asnjë qytetar.

Në këto dy qendra, të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote janë serbë.

10:28/ Zgjedhjet në veri të Kosovës, kryetari i KQZ-së: Qytetarët të dalin në votime, të ndërtojnë institucione legale

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniçi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. “Në këtë mënyrë zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniçi.

10:10/ Zgjedhjet në Veri të Kosovës, Osmani: Shpresoj që shumë shpejt do të formohen institucionet

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani deklaroi sot se shpreson që shumë shpejt do të formohen institucionet. Pasi votoi në qendrën e votimit në Kodrën e Minatorëve, ai theksoi se qytetarët janë në gjendje jo të mirë dhe që kanë nevojë sa më shpejt të kanë udhëheqje në vendin ku jetojnë.

09:01/ Hapen qendrat e votimit në Zveçan, voton kandidatja e pavarur dhe e vetme serbe për kryetare komune: Pres ndryshime

Edhe në komunën e Zveçanit qendrat e votimit janë hapur në kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar dhe këshilltarë komunalë. Kandidatja e pavarur dhe e vetme serbe, Sllgjana Pantoviç ka votuar para pak çastesh në qendrën e votimit pranë stacionit të policisë në Zveçan.

08:51/Zgjedhjet në veri, Policia e Kosovës masa të rrepta sigurie: Plani operativ për siguri po realizohet me përpikëri

Policia e Kosovës deklaron se plani operativ është duke u zbatuar konform fazave të parashikuara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët gjatë votimit në katër komunat veriore.

Top Channel