Ageler: Kam besim se “Bechtel” punon ligjërisht dhe në mënyrë transparente, opozita kritikon vetëm për poena politike

Shpërndaje

Procesi në të cilin “Bechtel” është përfshirë në ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d është tërësisht transparent dhe ligjor sepse kështu funksionon kjo kompani, thotë ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, në një intervistë për agjencinë shtetërore MIA.

Dalja e saj në përkujtimin e fillimit të ndërtimit të autostradave që do të jenë pjesë e korridoreve, sipas saj, flet për biznes-orientimin e saj proamerikan.

“Unë jam në radhë të parë amerikane, nuk votoj këtu, nuk kam parti në Maqedoninë e Veriut, nuk jam anëtare e asnjë partie politike. Sidoqoftë, unë jam shumë pro biznes-orientimit amerikan dhe ne në ambasadë po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndihmuar në promovimin e investimeve amerikane këtu, sepse nuk është vetëm e mirë për investitorët amerikanë për kompanitë amerikane, por është shumë e rëndësishme për qytetarët e këtij vendi. Dhe të gjithë me të cilët fola ishin shumë të emocionuar që kishin një autostradë të Bechtelit në vendin e tyre”, tha Ageler.

Ajo u shpreh e zhgënjyer sepse opozita e kritikon projektin pa pasur të gjitha faktet dhe informacionet, duke theksuar se këtë e bën për arsye politike, për të fituar pikë politike.

“Konsideroj se është shumë zhgënjyese që ata në opozitë pa fakte kritikojnë diçka për të cilën nuk kanë informacion. E bëjnë thjesht për të qenë kundër qeverisë. Po, është punë e opozitës, por në të njëjtën kohë kam besim të plotë se procesi në të cilin është përfshirë Bechtel është plotësisht transparent dhe ligjor sepse ata punojnë në atë mënyrë, përndryshe nuk do të kishim projekte në të gjithë botën dhe një numër të caktuar këtu në rajonin Ballkanit Perëndimor sikur të mos ishin një kompani e besueshme. Qytetarët e këtij vendi do të jenë shumë të lumtur të kenë korridoret 8 dhe 10-d kur të përfundojnë. Bisedimet vazhdojnë, por mendoj se është për të ardhur keq që ka nga ata që do të pengojnë thjesht për të fituar pikë politike”, tha Ageler.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.