Geer: Hapi tjetër që duhet bërë, ndryshimi i kushtetutës

Shpërndaje

Prioritet për integrim në Bashkimin Evropian janë ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i reformave, kështu paralajmëroi ambasadori evropian Dejvid Gir, sepse sipas tij edhe Bashkimi Evropian zgjerimin e unionit e ka vendosur si prioritet kryesor në agjendën e Brukselit dhe se gjërat mund të zhvillohen me ritme të shpejta.

Ai shtoi se duhet shfrytëzuar mundësia, duke theksuar se hapja e negociatave të anëtarësimit hap një rrugë të qartë.

“Për të përfunduar i gjithë ky proces, hapi tjetër që duhet bërë është ndryshimi i Kushtetutës, sigurisht që po flasim për një vendim sovran që duhet të merret nga vendi juaj. Megjithatë, ne po flasim për një vendim që është në thelb i rëndësishëm për të ecur përpara.”, – deklaroi ambasadori i BE-së, David Geer.

Për të dinamizuar integrimin evropian, vendimtare janë edhe reformat që duhet të zbatojë vendi. Sa më shpejt të zbatohen reformat, aq më e shpejtë do të jetë hyrja në BE, thekson ambasadori evropian.

“Rruga para vendit është e qartë, është e hapur, kështu që nëse procesi i reformës përshpejtohet, përfitimet në atë kuptim mund të përdoren praktikisht. Jam vërtet i bindur, nëse i ndërmerrni këto hapa, do t’i bashkoheni BE-së.”, – theksoi ambasadori i BE-së, David Geer.

Ndërkohë pushteti dhe opozita ndajnë qëndrime të ndryshme nëse duhet të hapet apo jo Kushtetuta. Komisioni për Ndryshime Kushtetuese tashmë ka miratuar rregulloren dhe ka njoftuar se do të fillojë debati thelbësor për formulimin e propozuar të amendamenteve.