Kasami dhe Gashi bëhen sërish bashkë, nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim

Shpërndaje

Partitë opozitare Lëvizja BESA dhe Alternativa, sot kanë njoftuar se kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim.

Marrëveshja është nënshkruar në mes dy kryetarëve të partive në Kuvendin e Maqedonisë.

Ja dhe komunikata e plotë:

Në frymë të kërkimit të mënyrave për artikulimin e zërit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sot – në hapësirat e Kuvendit – u takuan kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, dhe kryetari Alternativës, Afrim Gashi.

Arsye e këtij takimi ishte zyrtarizimi i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të të dyja partive në drejtim të ndërtimit të një kampi opozitar që, fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe, në përgjithësi, ato qytetare, ndërsa më tej do të synohet që ky bashkëpunim të shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik.

Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve.

Për këtë qëllim, dy kryetarët, Kasami dhe Gashi, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, që është zotimi formal i dy partive përkatëse për ta zyrtarizuar këtë dakordim.

Për hapat e mëtejmë, për mundësitë e reja të bashkërendimit, si dhe për faktorët e tjerë që do t’i bashkohen këtij kampi, opinioni do të informohet më kohë.