Kryetari i Zubin Potokut: Jemi duke i harmonizuar veprimet me ShBA-në dhe faktorët tjerë

Shpërndaje

Kryetari i ri i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka deklaruar se kryetarët e rinj të katër komunave veriore, janë duke i harmonizuar veprimet e tyre të ardhshme me të gjithë faktorët, ndër ta edhe me ambasadën e ShBA-së.

Ai në Debat Plus, tha se një nga arsyet se pse jo të gjithë kryetarët e rinj nuk to ta bëjnë betimit të premten, sikurse Erden Atiq, i Mitrovicës së Veriut, janë aspektet teknike.

“Këto janë problem teknike rreth organizimeve në të gjitha komunave, kjo është arsyeja e parë që s’po mbahen me një datë të gjitha betimet. Vetë certifikimi, shembull komuna e Leposaviqit, ka vonesa në certifikim të kandidatëve, s’është e thënë të mbahen në një datë. Ne kemi pas takim edhe me përfaqësues e ambasadës amerikane e angleze, jemi duke u harmonizuar me të gjithë faktorët… me ambasadën amerikane gjithnjë do të kemi harmonizim”, ka thënë ai.

I pyetur se çfarë mendon për deklaratën e ambasadorit të ShBA-së, në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se kryetarët e rinj, duhet të kenë vetëm kompetenca teknike, ai tha se ata do të kenë kompetenca të mjaftueshme për t’iu përgjigjur nevojave të qytetareve.

“Besoj që do të kemi kapacitet dhe kompetenca për t’u përgjigjur qytetarëve pa kurrfarë dallimi. Është me rëndësi të ecim me hapa sa më të mëdhenj në drejtim të vendosjes së administrimit, që na thërret ligji i Kosovës. Nuk paragjykoj, jemi në ecje e sipër do të përpiqemi ta japim maksimumin”, ka thënë ai.