Qeveria e Kosovës ka shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare, me kapacitet prej 100 megavatësh
Qeveria ka shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare, me kapacitet prej 100 megavatësh. Kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar këtë si rrugën drejt qëndrueshmërisë energjetike. E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kompania që do të fitojë ankandin, do të përfitojë nga marrëveshja e garantuar 15-vjeçare për blerje të energjisë e qiradhënia e tokës për 30 vjet. Parku pritet të ndërtohet në Kramovik të Rahovecit.
Marrëveshje të garantuar 15-vjeçare për blerje të energjisë dhe tokë me qira për afat prej 30 vjetësh në Kramovik të Rahovecit do të përfitojë kompania që do të përzgjidhet në ankandin e parë të energjisë solare, të shpallur të premten.
Nëpërmjet këtij ankandi pritet që të bëhet instalimi i paneleve me kapacitet të prodhimit të 100 megavatëve të energjisë solare, në një vlerë prej 75 milionë eurosh.
Për këtë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se vizioni i Qeverisë është që të sigurohet stabilitet energjetik.
“Ankandi i parë i Republikës së Kosovës i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat përmbush secilin hap të vizionit tonë. Ky ankand përmbush edhe synimet thelbësore të qeverisjes sonë e që janë 3 sosh, e para mundësi të pabarabarta për të gjithë akterët e përfshirë, e dyta inovacion dhe çmime të përballueshme, dhe e treta të garantojmë transparencë”, ka deklaruar Kurti.
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, ka theksuar se me këtë ankand, Kosovës do t’i sigurohet një e ardhme e ndritur dhe pa ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas saj, Kosova duhet të merret shembull nga vendet e tjera për transformimin energjetik.
“E kemi parë zotimin e udhëheqësve në Kosovë që të bëjnë transformimin energjetik, në atë që shpresojmë se do të shërbejë si model edhe për vendet e tjera që të punojnë në rrugëtime të ngjashme”, ka thënë administratorja e USAID-it.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se për të krijuar kushte tërheqëse për investitorë janë ofruar një sërë përparësish, nisur nga sigurimi i tokës e deri te çmimi i garantuar i blerjes.
“Përtej çdo kriteri teknik dhe mundësive në investime kemi plotësuar të gjitha kushtet që kompanitë që duan të investojnë në Kosovë t’iu ofrojmë një partner serioz, fer dhe transparent, si rezultat do të shohim 100 megavatë shtesë të kapaciteteve të prodhimit vendor, 100 megavatë në miksin e energjisë, inovacion dhe konkurrencë, vende të reja të punës, stimulim të rritjes ekonomike dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, ka deklaruar Rizvanolli.
Kjo është hera e parë që Kosova shpall ankand solar, ani se ishte premtuar të jetësohej qysh në fund të vitit të shkuar.
Ankandi është një proces konkurrues, nëpërmjet të cilit Qeveria do të blejë energji elektrike që gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme. E kontrata e ankandit jepet në bazë të çmimit më të ulët të garantuar të blerjes.
Postimi nga KURTI:
Sot ishim mikpritës të një mike të madhe të Kosovës, administratores së USAID, Samantha Power.
Gjatë drekës së punës dhe takimit në kryeministri folëm për sigurinë energjetike, tranzicionin energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm, por edhe për zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen, themelimin e Fondit Sovran e për Marrëveshjen Bazike arritur në Bruksel, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga fjalët në vepra, së bashku me të dhe me ministren Rizvanolli lansuam ankandin e parë të energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat, duke çliruar potencialin energjetik të vendit tonë.
Të gjithë e kemi parasysh logon e USAID. Dora që na ndihmoi që të ngritemi nga rrënojat e luftës më shumë se dy dekada më parë, USAID, tani është dora e partnerit të besueshëm në rrugën e pavarësimit nga lëndët fosile, dhe drejt energjisë së pastër.